Situata e zjarreve në vend, Basha akuzon qeverinë: Shteti punon për vete, jo për qytetarët

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pak minuta më parë në lidhje me situatën e zjarreve në vend. Përmes një postimi në Facebook, ku ka postuar foto nga aksioni i zjarrëfikësve dhe qytetarëve për fikjen e zjarrit.
“Mirënjohje për punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira. Pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij.

Natyrisht, kërcënimi i zjarrit është i kudondodhur në rajon, por nuk ndodh askund që në një moment krize, mjetet e pakta të mpaken edhe më shumë për t’i shtuar privilegjet një individi. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi. Prandaj nuk ka fonde dhe mjete për t’u përballur me emergjencat, qofshin zjarre apo tërmete, sepse shteti përdoret si instrument i një pakice që punon për vete, jo për qytetarët”, shkruan Basha.
Kujtojmë se një ditë më parë u shënua viktima e parë nga zjarri në vend. 64-vjeçari nga Gjirokastra po fikte zjarrin në oborrin e tij.


