I dënuar për vrasje e prostitucion, shqiptari arrestohet me 11 kg kokainë në Itali

Një 33-vjeçar shqiptar është arrestuar në Bolonja të Italisë, pasi u kap me 11 kilogramë kokainë të pastër dhe një pistoletë të vjedhur me municion, e fshehur brenda një furre në banesën e tij.
Operacioni u zhvillua javën e kaluar në zonën Castel de’ Britti, por u bë publik vetëm ditën e djeshme. Mediat italiane raportojnë se shqiptari ka një të kaluar të errët kriminale: i dënuar për vrasje me dashje në vitin 2011, për të cilën kishte marrë 14 vjet burg, dhe i përfshirë më parë në shfrytëzim prostitucioni. Ai ishte liruar në maj 2024, por duket se i është rikthyer aktivitetit kriminal.
Policia kishte vënë në monitorim për disa javë lëvizjet e tij, para se të ndërhynte me një kontroll në banesë. Në bodrumin e shtëpisë u gjet një çantë me 10 blloqe kokaine, ndërsa arma u zbulua brenda furrës së integruar të kuzhinës.
Bëhej fjalë për një revolver ‘Arminius’ kalibri .38 special, i vjedhur në provincën e Sienës më 13 nëntor 2022. Arma ishte e mbushur me një plumb dhe 23 fishekë të tjerë u gjetën të fshehur në një çorape, brenda të njëjtës furrë.
Aktualisht ndaj shqiptarit rëndojnë akuzat për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ai është pjesë e ndonjë rrjeti kriminal më të madh.


