Kurti pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit: I kam bërë ofertë konkrete NISMA-s

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të 50-të këtë të hënë, duke zgjatur ngërçin institucional që ka përfshirë vendin.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një deklaratë për mediat, konfirmoi se ka bërë një ofertë konkrete për partinë NISMA, si përpjekje për të zhbllokuar situatën dhe për të çuar përpara konstituimin e Kuvendit.
“Kam bërë një ofertë konkrete për NISMA-n, për të konstituar Kuvendin e Kosovës. Për këtë gjë duhet të merremi vesh që të gjithë,” u shpreh Kurti.
I pyetur nëse kjo ofertë përfshin postin e kryetarit të Kuvendit për Fatmir Limajn, ai nuk dha detaje: “Nuk është në rregull të diskutoj për detajet, sepse pritet të finalizohet këtë javë”.
Ngërçi për konstituimin e Kuvendit ka ngritur shqetësime serioze për funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës.


