Shkelje me tenderat e rrugëve, SPAK dërgon në gjyq kryebashkiakun Erion Isai dhe 11 të tjerë

SPAK dërgon për gjykim 12 të pandehur për shkelje në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Kolonjë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 280/1 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:
Njoftimi i plotë i SPAK:
Erion Isai, me detyrën e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25, si dhe 258 dhe 25 të Kodit Penal;
Eljona Mydini, ish-zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal;
Ergys Verdho, ish-drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal;
Erald Elezi, ish-drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal;
G enti Raça,me detyrën e përgjegjësit të sektorit të preventivit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal;
Donikë Shehu, ish-specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal;
Klarita Konomi, ish-specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 i Kodit Penal;
Nikollaq Mihali, me detyrën e specialistit të nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 i Kodit Penal;
Erdit Salillari, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të hartimit të projekteve të huaja pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 i Kodit Penal;
Erjon Cenko, Engjëll Dine dhe Ermal Zylfo, punonjës të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, në bashkëpunim, dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 258 e 25 të Kodit Penal;
Armand Tafil, Muharrem Tartari dhe Shpëtim Liço, punonjës të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal;
Entela Çano, me detyrën administratore pranë shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k., e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Nga kryerja e veprimeve hetimore, provat e administruara kanë rezultuar në fakte penale për personat përgjegjës të autoritetit kontraktor dhe institucioneve të tjera shtetërore ndërvepruese në disa procedura prokurimi të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Kolonjë.
1. Procedura e prokurimit me objekt: “Ndërtimi i rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”
Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”, me fond limit 2,879,999,858.89 (dy miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë me TVSH, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar më 24.09.2020, ka rezultuar se:
Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, në kuadër të procedurës së ndjekur për “Shërbim projektimi në formë dhurimi/donacioni”, me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2”, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar, në të cilat paraqitet e kundërta.
Nga provat e administruara, të mbështetura edhe nga ekspertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k., kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.
Sa i takon përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit.
Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, dokument i miratuar edhe nga drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi Ergys Verdho, nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur në dokumentacionin e formalizuar nga Bashkia Kolonjë.
Përcaktimi i fondit limit nga grupi i punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetasja Entela Çano, administratore e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k., e cila më pas ka fituar kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë).
Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ligjin nr. 10 296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar, ligjin nr. 10 164, datë 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, si dhe VKM nr. 276, datë 16.05.2018 “Për miratimin e organizimit, strukturës, organikës dhe statutit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”.
Nga provat e administruara, të mbështetura edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874 (pesëqind e nëntëdhjetë milionë e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, çka përbën dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.
2. Procedura e prokurimit me objekt “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”
Procedura e prokurimit me objekt “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”, me fond limit 22,704,145 (njëzet e dy milionë e shtatëqind e katër mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë me TVSH, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar më 14.10.2020, ka rezultuar se:
Erdit Salillari, Klarita Konomi dhe Niko Mihali, në cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, “A&E Engineering” sh.p.k.
3. Procedura e prokurimit me objekt “Mbikëqyrje punimesh, ndërtimi i ujësjellësit Ersekë dhe disa fshatrave, Faza e dytë nga burimet e Kozelit”
Procedura e prokurimit me objekt “Mbikëqyrje punimesh, ndërtimi i ujësjellësit Ersekë dhe disa fshatrave, Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me TVSH, zhvilluar nga Bashkia Kolonjë më 06.10.2020, ka rezultuar se:
Në lidhje me përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine dhe Ermal Zylfo, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqërinë “A&E Engineering” sh.p.k.
Anëtarët e komisionit janë bazuar në përllogaritjen e fondit pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi. Po ashtu, specifikimet teknike janë përgatitur nga administratorja e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k., shtetasja Entela Çano.
Në lidhje me hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko dhe Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese “A&E Engineering” sh.p.k.
Anëtarët e njësisë së prokurimit kanë miratuar dokumentet standarde të tenderit duke vendosur kritere të përcaktuara nga vetë shoqëria fituese “A&E Engineering” sh.p.k.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.


