Sherr për parkimin në Sarandë, dy vëllezër dhunojnë 26-vjeçarin dhe prindërit e tij, në pranga autorët

Një konflikt për parkimin e një automjeti ka përfunduar me dhunë të rëndë në Sarandë, duke lënë të plagosur tre persona nga e njëjta familje. Policia ka arrestuar dy vëllezërit e dyshuar si autorë të ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga kanë rënë Romeo dhe Fatjon Laze, 45 dhe 39 vjeç, të cilët akuzohen se pas një sherri me familjen A., kanë goditur me sende të forta 26-vjeçarin N. A., si edhe prindërit e tij E. A. dhe B. A.
Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, rreth orës 17:45, në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar. Përplasja mes dy familjeve përshkallëzoi shpejt në dhunë fizike, ku u përfshinë të paktën gjashtë persona.
Të plagosurit kanë marrë goditje të shumta në trup dhe në kokë, duke përfunduar me dëmtime serioze. Ata u transportuan menjëherë për mjekim në spitalin e Sarandës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia njofton se hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë që morën pjesë në konflikt.


