Rrëfeu në gjykatën britanike për atentate dhe konflikte me grupe kriminale në Shqipëri, kush është “Fania” nga Berati
Një deklaratë e fortë e bërë në sallën e gjyqit në Londër nga 36-vjeçari shqiptar Irfan Azizi ka shkaktuar reagime të shumta në media. I njohur edhe si “Fania i Beratit”, ai pretendoi para gjykatës se persona të caktuar “kanë kryer vrasje me urdhër të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm”, duke theksuar se disponon prova.
Çështja u shqyrtua në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, ku Azizi po përpiqet të shmangë ekstradimin drejt Shqipërisë, ku kërkohet për të vuajtur një dënim me një vit burg për shkelje gjatë paraburgimit.
36-vjeçari, i cili prej 6 vitesh jeton në Angli me familjen, pretendon se rrezikon jetën nëse kthehet në Shqipëri, duke akuzuar se është në shënjestër të një grupi kriminal të lidhur me Talo Çelën.
Sipas dëshmisë së tij, Azizi i ka shpëtuar një atentati në nëntor të vitit 2020 në Berat, ku mbeti i plagosur, ndërsa më pas u largua nga vendi. Ai ka pretenduar gjithashtu se më herët ka qenë i përfshirë në aktivitete biznesi, ndërsa autoritetet shqiptare e kanë skeduar për vepra penale, kryesisht në fushën e vjedhjes së automjeteve.


