“Sherri për vajzën” / Zbardhet dinamika e krimit në Ksamil, shokët: Konflikti degradoi në dhunë, Luisi u fut t’i ndante

Aktualitet

“Sherri për vajzën” / Zbardhet dinamika e krimit në

KSAMIL - I riu portugez duket se ka mbetur viktimë, pa asnjë lidhje me ngjarjen

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi në Ksamil, ku humbi jetën 21-vjeçari portugez, Luis Miguel Varela Mendes. Grupi hetimor ka marrë në pyetje shokët e viktimës, të cilët kanë rrëfyer momentet para konfliktit dhe mënyrën se si situata përfundoi në një përplasje fatale.

Gjithçka dyshohet se nisi brenda një lokali pas një episodi ngacmimi ndaj një vajze. Debati u përshkallëzua dhe në konflikt u përfshinë disa persona, ndërsa në përpjekje për ta qetësuar situatën ndërhynë edhe punonjësit e sigurisë.

Në këtë moment, i riu portugez dyshohet se është afruar për të ndarë personat që po konfliktoheshin. Ndërhyrja e tij përfundoi tragjikisht, pasi u godit me thikë. Pavarësisht ndihmës së dhënë, plagët e marra rezultuan fatale. ”Sherri nisi për ngacmimin e një vajze. Në konflikt u përfshinë disa persona. Luis Varela u fut për të shuar konfliktin”, mësohet të kenë deklaruar shokët e viktimës para hetuesve.

Në kuadër të hetimeve pas arrestimit janë marrë në pyetje edhe dy shtetas turq, një vajzë dhe një djalë, të cilët u ndaluan së bashku me 29-vjeçarin Sokrat Vata.  Të shoqëruar nga përkthyes, dy shtetasit turq kanë dhënë versionin e tyre për lidhjen me 29-vjeçarin dhe ngjarjen pas konfliktit. Ata kanë deklaruar se ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes” dhe se kishin krijuar një marrëdhënie shoqërore me Vatën.

Ata e paguanin 29-vjeçarin për shërbime sigurie, duke e angazhuar si bodigard dhe shoqërues personal. Të dy kanë mohuar çdo përfshirje në konfliktin që përfundoi me vdekjen e turistit portugez. Ata kanë pretenduar se e morën Vatën në automjet vetëm për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin me të.

Ndërkohë policia për zbardhjen e plotë të ngjarjes ka mbi 30 persona, 12 prej të cilëve janë arrestuar. 

ME TE LEXUARAT