“Revoltë!”/ Sheshet dhe rrugët plot! Sot protesta e 17 në Tiranë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Tirana pritet të jetë edhe këtë të martë skena e një mobilizimi të madh qytetar, teksa në orën 18:00 mijëra protestues do të mblidhen në protestën e 17-të radhazi për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ashtu si në ditët e mëparshme, pjesëmarrësit do të grumbullohen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku do të ndalen përpara godinës së Kryeministrisë. Pas tubimit, protestuesit pritet të vijojnë marshimin paqësor nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke krijuar edhe një herë një prani masive në zemër të Tiranës.
Qëndresa qytetare ka hyrë tashmë në javën e tretë, me organizatorët dhe pjesëmarrësit që shprehen të vendosur të vazhdojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Ata e konsiderojnë këtë lëvizje si një reagim ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend, duke theksuar se nuk do të tërhiqen nga presioni publik.
Edhe gjatë protestës së një dite më parë, mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa në tubimin përpara Kryeministrisë u dëgjuan vazhdimisht thirrje si “Rama jepe dorëheqjen”, slogan që është shndërruar në simbol të këtyre protestave. Mes thirrjeve të tjera të dëgjuara ishin edhe “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Ju erdhi fundi”.
Me pjesëmarrje të lartë dhe marshime që kanë mbushur rrugët e kryeqytetit ditë pas dite, protesta e sotme pritet të jetë një tjetër demonstrim i rëndësishëm i mobilizimit qytetar dhe i kërkesave të artikuluara nga protestuesit.



