Renato Hoxha u qëllua me 4 plumba në kokë, arrestohet Armando Gega! Në kërkim rumuni me precedentë të rrezikshëm kriminal

Aktualitet

Renato Hoxha u qëllua me 4 plumba në kokë, arrestohet Armando

Zbardhen detaje të reja nga vrasja mafioze e 27 prillit në Vlorë, ku u ekzekutua roja i një objekti, Renato Hoxha. 41-vjeçari u qëllua me katër plumba në trup dhe në kokë, rreth orës 06:20 të mëngjesit, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit.

Pas një hetimi të zgjeruar, policia arrestoi më 1 gusht Kleanth Bylykun, i njohur edhe si Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë. Ai akuzohet për “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.

Në të njëjtën çështje, është shpallur në kërkim 53-vjeçari rumun Daniel Cornea, një person me precedentë të theksuar kriminal, sidomos në fushën e krimeve kundër jetës. Ndaj tij është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, si i dyshuar për bashkëpunim në vrasje dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.

Policia njofton gjithashtu se në muajin prill ishte arrestuar Eris Mehmeti, 37 vjeç, me origjinë nga Tropoja, për “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasjen”.

Në hetim është edhe një i ri 26-vjeçar, me inicialet I. S., më parë i ndaluar për “prodhim dhe shitje narkotikësh”, për të cilin pritet të qartësohet roli në ngjarje.

Policia e Vlorës vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar.

ME TE LEXUARAT