‘Qeveria nuk u dërgon mjete zjarrfikësve’, Artan Hoxha: U dha bileta falas për koncert

Gazetari Artan Hoxha është shprehur mbrëmjen e sotme se me fondin prej 4.2 milionë eurosh të alokuar nga qeveria për koncertin e Kanye West, mund të ishin blerë mjete zjarrfikëse, në një kohë kur Shqipëria rrezikohet nga zjarret.
I ftuar në një emision televiziv, Hoxha tha se zjarrfikësve, në vend të mjeteve për fikjen e zjarreve, qeveria u ka çuar bileta falas për koncertin.
Sipas tij, në asnjë vend të botës qeveria nuk përfshihet në organizimin e një koncerti privat, por merret vetëm me rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të këtij lloj organizimi.
“Ky koncerti, na dhanë këto shifrat, 100 milionë euro që ne do të përfitonim. E po ky koncert do të mbahet në Madrid dhe llogaritet të sjellë 45 milionë, dhe qeveria spanjolle nuk ka ndërhyrë me fonde.
Para se të zhvillohej koncerti, kam pyetur sa zjarrfikëse të reja blihen me 4 milionë. Një drejtues i zjarrfikësve tha se me aq lekë mund të blihen aq mjete sa nuk do të jetë i nevojshëm një avion Canadair. Sot helikopterët tanë Cougar kanë shkuar për të fikur zjarrin, që ata helikopterë nuk janë për atë punë.
Tani ku na vlejnë ato para më shumë, te fikja e zjarrit apo te koncerti? Zjarrfikësve u kanë çuar bileta falas në vend të mjeteve zjarrfikëse. Vijmë te pjesa se si arriti qeveria që impakti do të jetë 100 milionë euro. Nuk i ka llogaritur askush.
Prokuroria duhet të nisë hetimet pa kallëzim fare. Në pikun e zjarreve, kur ne jemi në rrezik të lartë. Nuk kam parë në asnjë vend të botës të përfshihet qeveria në një koncert privat. Qeveria merret vetëm me rendin dhe sigurinë. Koncertet i organizojnë kompani private, nuk i ftojnë qeveritë”, tha Hoxha.


