Qeveria i jep një goditje kompanisë CFO Pharma, Nadir Çausholli

Aktualitet

Qeveria i jep një goditje kompanisë CFO Pharma, Nadir Çausholli

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i ka hequr të drejtën e tregtimit të barnave të rimbursueshme kompanisë CFO Pharma.

Sipas vendimit të Fondit, kompania CFO Pharma nuk lejohet të tregtojë më ilaçe të rimbursueshme, por mund të vazhdojë shitjen e barnave në treg të lirë.

Vendimi i marrë javën e kaluar vjen pas skandalit me rimbursimet fiktive, që u denoncua nga kompania italiane Chiesi dhe kompania nënkontraktore e saj në Shqipëri, Medicamenta. Kjo e fundit kallëzoi penalisht në prokurorinë e Tiranës, CFO Pharman e zotëruar nga Nadir Çausholli për mashtrim dhe rimbursime fiktive me dy ilaçe, të cilët përdoren për kursimin e astmës.

Skandali i publikuar fillimisht nga Kapitali u konfirmua nga hetimi i prokurorisë. Dy javë më parë, prokuroria e Tiranës urdhëroi kontrolle në ambientet e CFO Pharmas dhe dy kompanive të tjera, që dyshohen si satelitë të saj, për të cilat Prokuroria dyshon se janë të përfshira në skemën e mashtrimit me rimbursimet fiktive.

Ndërkohë, paralel me hetimin e Prokurorisë së Tiranës ka dhe një tjetër hetim në SPAK, ku është kallëzuar ish drejtori i FSDKSH, Spartak Zekja. Ky i fundit u kallëzua në SPAK nga ish drejtori i kontrollit të Fondit, si i përfshirë në çështjen e rimbursimeve fiktive.

Një muaj më parë, Zekja u shkarkua nga drejtimi i FSDKSH dhe në vendin e tij u emërua Arti Papajani. Por skandali i përsëritur i rimbursimeve fiktive tregoi edhe një herë babëzinë barbare, e cila nuk ndalet para asgjëje, duke vjedhur edhe sëmundjen.

Deri më tani, Prokuroria e Tiranës dhe SPAK nuk kanë lëshuar asnjë masë për këtë skandal kriminal, përsëritja e të cilit ngre dyshime të forta për përfshirjen e strukturave shtetërore, jo vetëm në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, por edhe në ministrinë e Shëndetësisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion