Protesta e 7 tetorit, policia ndalon 2 persona të tjerë për akte dhune dhe goditje të efektivëve

Aktualitet

Protesta e 7 tetorit, policia ndalon 2 persona të tjerë për akte

Policia e Tiranës ka ndaluar dy persona dhe ka nisur procedimin ndaj pesë të tjerëve pas protestës së dhunshme të opozitës, zhvilluar dy ditë më parë. 

Të arrestuarit janë Sokol Bushkolaj nga Kruja, për akuzat e "Goditje për shkak të detyrës", "Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit". Gjithashtu, Gentjan Tuga nga Tirana, është arrestuar për "Goditje për shkak të detyrës" dhe "Shkatërrim prone".

Pesë persona të tjerë, përfshirë një të mitur, po hetohen në gjendje të lirë për "Prishje të rendit dhe qetësisë publike" dhe "Kundërshtim të punonjësit të Policisë". 

Protesta përfshinte akte të dhunshme si hedhja e molotovëve ndaj ministrive, ku u plagosën dhjetë policë dhe disa protestues. U dogjën kosha mbeturinash dhe stacione autobusësh. Ndër të hetuarit për këtë protestë janë edhe Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Ervin Minarolli.

Njoftimi i policisë Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 07.10.2024, ndaloi shtetasit:

– S. B., 49 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga nenet 237, 282 dhe 323 të Kodit Penal;

– G. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga nenet 237 dhe 150 të Kodit Penal.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit H. B., 68 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, dhe një shtetas të mitur 17 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 274 dhe 236 të Kodit Penal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

ME TE LEXUARAT