Prokuroria Sarandë sekuestron një hotel dhe një ndërtim tjetër pa leje në Ksamil, hetime për ‘ndërtim të paligjshëm

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, u sekuestrua hoteli ‘Central Park Premium Hotel’ me pesë kate pa leje në Ksamil si dhe një objekt pranë tij, me një kat pa leje me 52.2 m2 po në Ksamil.
Ndërkohë u caktua masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasin K.P.
Këto masa u kërkuan nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.522/2025 për veprën penale të “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a-4 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë po vijon me kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin dhe individualizimin e përgjegjësisë për të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje.

Sarandë
Sekuestrohen në Ksamil një objekt 5-katësh dhe një objekt 1-katësh, të ndërtuara pa leje për qëllime fitimi (shërbime hotelierie).
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” për pronarin e tyre.
Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim με Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, ka kryer procedurat për ekzekutimin e vendimeve të caktuara nga Gjykata e Sarandës, në vijim të hetimeve të kryera për një rast të ndërtimit pa leje për qëllime fitimi në Ksamil.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Sarandës është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e caktuar nga kjo gjykatë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin K. P..
Gjykata ka vendosur edhe sekuestrimin e një objekti 5-katësh dhe të një objekti 1-katësh, në lagjen nr. 2, rruga “Derolli”, Ksamil, të ndërtuara pa leje për shërbime hotelierie.
Gjatë procedurave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës është konstatuar se hoteli ka qenë në funksion dhe në të ishin akomoduar pushues. Për këtë arsye, janë marrë masa paraprake dhe, më datë 06.10.2026, do të kryhen të gjitha veprimet për ekzekutimin e plotë të vendimit të Gjykatës.


