Rrezikuan jetën në Dhërmi, policia kufitare shpëton 5 turistët

Pesë persona janë shpëtuar nga Policia Kufitare pasi gomonia me të cilën po udhëtonin drejt Porto Palermos pësoi avari në det.
Ngjarja është regjistruar në zonën e Dhërmiut, ku autoritetet morën njoftim se mjeti lundrues kishte mbetur i bllokuar dhe personat në bord rrezikonin të përballeshin me probleme për shkak të situatës në det.
Pas marrjes së sinjalizimit, efektivët e Policisë Kufitare u nisën menjëherë drejt zonës ku ndodhej gomonia. Mjeti u lokalizua dhe shërbimet policore ndërhynë për të nxjerrë në siguri drejtuesin dhe katër personat e tjerë që ndodheshin në bord.
Të pesë personat u morën në bordin e mjetit të Policisë Kufitare dhe u shoqëruan deri në breg, në Porto Palermo.
Sipas policisë, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pasur nevojë për ndërhyrje të mëtejshme mjekësore. Pas shpëtimit, ata kanë falënderuar efektivët për ndërhyrjen në kohë.
Policia Kufitare u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese që të tregohen të kujdesshëm përpara se të dalin në det, veçanërisht kur kushtet atmosferike janë të pafavorshme. Autoritetet kërkojnë që lundrimi të shmanget në rastet kur moti mund të rrezikojë sigurinë e personave në bord.


