Misteri i zhdukjes së Eglant Koçit, gjurmë baruti në zyrë, dyshohet se 34-vjeçari u vra për ....

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, ngjarje për të cilën policia ka shpallur në kërkim mikun e tij të ngushtë, Armand Shakaj, si autor të dyshuar. Mësohet se Shakaj ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij drejt zonës së Ibës, ku hetuesit besojnë se mund të jetë zhvendosur edhe trupi i 34-vjeçarit. Sipas grupit hetimor, lëvizja e automjetit me karrotrec dyshohet se është bërë për të shmangur kontrollet policore dhe për të mos tërhequr vëmendje. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur më 6 qershor. Verifikimet e kamerave të sigurisë kanë ngritur dyshime se trupi i Eglant Koçit mund të jetë mbajtur në automjet për rreth një ditë e gjysmë, ndërsa kontaktet e fundit të tij me familjarët datojnë më 4 qershor.
Policia ka identifikuar dhe marrë në pyetje drejtuesin e karrotrecit, i cili ka deklaruar se e transportoi automjetin pranë një servisi në Ibë pasi Shakaj i kishte thënë se makina kishte pësuar defekt. Sipas dëshmisë së tij, ai nuk kishte dijeni për çfarë mund të ndodhej brenda mjetit. Ndërkohë, ekspertët kanë konstatuar gjurmë mbetjesh baruti në ambientet e zyrës ku dyshohet se është mbajtur Koçi. Hetuesit janë në pritje të rezultateve të analizave laboratorike, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Prej disa ditësh, policia po zhvillon kërkime intensive në zonat e Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit për gjetjen e trupit të Eglant Koçit, ndërsa paralelisht vijojnë përpjekjet për lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt.
Dyshohet se 34-vjeçari u vra për 500 mijë euro
Gazetari Sokol Bregu ka zbuluar detaje lidhur me zhdukjen e Englant Koçit. Nga studio e MCN TV, Bregu u shpreh se Koçi i kishte thënë miqve të tij se kishte arritur të siguronte 500 mijë euro në kriptomonedha dhe se ky mund të jetë motivi i zhdukjes apo eliminimit të tij. “Viktima kishte thënë në grupin e vet shoqëror se kishte fituar 500 mijë euro. Problemi i parave dixhitale është se ndodhen në telefon.
Duke menduar se ky ka patur 500 mijë euro, është kryer vrasja, jam i bindur. Pastaj dalim në moralin a të vret shoku për 500 mijë euro? Këta të vrasin për 15 mijë euro, jo 500 mijë euro. Ky njeriu ka thyer nga portofoli i zotërisë para dixhitale në shifra që nuk binin në sy, 10, 12, 17, nuk dihet a i kishte viktima 500 mijë euro para dixhitale në telefon. Ato që janë thyer janë shifër shumë më e vogël. Kjo ka qenë arsyeja kryesore, grabitja e parave. I kërkuari në këto momente, ka pseudonimin “dhelpra”. Kam pyetur disa persona që mund ta njihnin. Në fakt kush e njihte kanë mbetur të habitur që ky mund të ketë kryer këtë vrasje. Ai njihet për përdorimin e shpeshtë të lëndëve narkotike”, tha Bregu.
Kërkimet
Policia e Tiranës ka edhe ndihmën e homologëve të Kosovës, për të gjetur trupin e Eglantin Koçit. Me ndihmën e pajisjeve të sofistikuara homologët e Kosovës po japin ndihmën e tyre në kërkimet në periferi të Tiranës. Shakaj u pikas që në fillim të denoncimit nga familjarët e Eglant Koçit dhe është një ndër personat e parë që u mor në pyetje nga policia. Pas këqyrjes së tabulateve telefonike rezultoi se personi i fundit që kishte kryer telefonatë Koçi kishte qenë Shakaj. Për këtë arsye ai thirr dhe u mor në pyetje nga komisariati nr.2, ku ai deklaroi se nuk kishte dijeni se edhe vetë ishte i shqetësuar që Koçi kishte humbur gjurmët.Mësohet se kur ka dalë nga komisariati pas marrjes në pyetje ai është ndeshur edhe me familjarë dhe të afërm të Eglant Koçit ku i ka thënë se ishte bërë merak edhe ai dhe se kur ta gjenin t’i thonin që ta merrte në telefon.
Policia e ka mbajtur në vëzhgim Shakaj edhe pas marrjes në pyetje por ai ka humbur gjurmët duke u larguar dhe fshehur. Policia e ka telefonuar të paraqitet sërish për dëshmi por ai ka gënjyer duke deklaruar se ndodhej në spital. Pas hetimeve intensive dhe analizimit të shumë kamerave të sigurisë një ditë më pas u vërtetua se Shakaj kishte rrëmbyer mikun e tij Eglant Koçin. Sipas sistemit TIMS rezulton që Shakaj nuk ka dalë jashtë vendit dhe se mund të fshihet në Tiranë.


