Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras

Mjekët e qendrës shëndetësore Mamurras janë mbledhur sot pranë institucionit të tyre, ku kanë mbajtur një deklaratë publike lidhur me ngjarjen e disa ditëve më parë, ku një mjeke është marrë në hetim për plotësimin e skedës së vdekjes së një 85-vjeçareje në Fushë-Mamurras.
Bëhet fjalë për mjeken Anila Lleshi, e cila po hetohet në lidhje me dokumentacionin e hartuar për rastin e të ndjerës. Sipas dyshimeve paraprake, 85-vjeçarja dyshohet se është vrarë me mjete të forta nga të afërm, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Bluzat e bardha të qendrës shëndetësore Mamurras kanë shprehur solidaritet me kolegen e tyre, duke theksuar se ajo ka vepruar në përputhje me ligjin gjatë plotësimit të dokumentacionit mjekësor për rastin në fjalë.
Në emër të stafit ka folur mjeku Ardian Doçi, i cili ka deklaruar se mjekët kërkojnë trajtim të drejtë të situatës dhe respektim të rolit profesional të bluzave të bardha në raste të tilla.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të rastit.


