"Plas grushti" në gjykatën e Vlorës, dy incidente brenda ditës

Dy incidente kanë ndodhur të premten në Gjykatën e Vlorës. Fillimisht avokati i Monika Kryemadhit, Redi Llanaj është konfliktuar me rojën e sigurisë në hyrje të gjykatës, në zonën e kontrollit të sigurisë ku qytetarët kalojnë përmes detektorëve të metaleve.
Sipas burimeve, avokati ka tentuar të kalojë pa ndjekur procedurat e kontrollit dhe është ndaluar nga punonjësi i sigurisë.
Pas një debati verbal, situata ka degjeneruar në përplasje fizike, ku avokati ka ushtruar dhunë ndaj punonjësit të institucionit.
Menjëherë pas incidentit, ai është shoqëruar nga policia në ambientet e komisariatit të Vlorës për të dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen.
Pas këtij incidenti një tjetër episod dhune është regjistruar në Gjykatën e Vlorës ku një qytetar ka debatuar me punonjësin e sigurisë dhe më pas e ka goditur atë me grusht në fytyrë.
Policia e Vlorës, pas marrjes së njoftimit, ka ndërhyrë menjëherë dhe ka shoqëruar autorin në komisariat.
Sipas policise, “specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin S. H., 70 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me grusht në fytyrë shtetasin K. T., 65 vjeç, punonjës sigurie në gjykatë”.
Pas kesaj ngjarje, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.


