Plagos dy persona me thikë pas konfliktit, arrestohet 32-vjeçari në Vlorë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, ku një 32-vjeçar ka plagosur dy persona me thikë pas një konflikti fizik.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin I. H., banues në Vlorë, i cili dyshohet se për motive të dobëta është përfshirë në përplasje fizike me dy persona të ndryshëm në lagjet “10 Korriku” dhe “Pavarësia 2”.
Gjatë përleshjes, ai ka përdorur një mjet prerës (thikë), me të cilin ka lënduar shtetasit M. F., 39 vjeç dhe K. K., 32 vjeç. Të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Edhe autori ka marrë ndihmë mjekësore për dëmtime të lehta të shkaktuara gjatë konfliktit.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar thika e përdorur në ngjarje, ndërsa ndaj 32-vjeçarit rëndon akuza për “Plagosje të rëndë me dashje”. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.


