Operacioni “Koordinata” në Shkodër/ Asgjësohen mbi 16 mijë bimë kanabis, sekuestrohen 320 kg në tharje

Policia e Shkodrës ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “Koordinata”, duke goditur disa raste të kultivimit të bimëve narkotike në zona të thella të qarkut.
Gjatë kontrolleve në terren, janë asgjësuar gjithsej 16,755 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa, ndërsa janë sekuestruar 320 kilogramë degë me boçe, në proces tharjeje.
Sipas të dhënave zyrtare:
• Në njësitë administrative Pult, Shalë, Postribë dhe Shosh, Policia e Shkodrës ka gjetur dhe shkatërruar 15,852 bimë si dhe ka sekuestruar 320 kg lëndë narkotike.
• Në Kastrat të Malësisë së Madhe u gjetën dhe asgjësuan 429 bimë.
• Në Shllak dhe Temal të Vaut të Dejës, u asgjësuan 474 bimë të tjera.
Pavarësisht sasisë së madhe të kanabisit të zbuluar, ende nuk janë identifikuar autorët e këtyre rasteve. Policia thekson se vijon puna për kapjen e përgjegjësve dhe shkatërrimin e rrjeteve të kultivimit të drogës. Operacioni “Koordinata” vijon me intensitet të lartë në të gjithë qarkun Shkodër.


