Përplasi për vdekje me makinë endacakun në Vorë, arrestohet 33-vjeçari nga Tirana

Një aksident me vdekje ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në Vorë. Makina me drejtues 33 vjeçarin, F.K, ka përplasur endacakun, ende të paidentifikuar. Menjëherë pas aksidentit tragjik, policia ka vënë në pranga 33 vjeçarin nga Tirana.
Në zbatim të masave të planit operacional "Sundimi i ligjit", kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Arrestohen në flagrancë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ekzekutuan vendimin penal për shtetasen në kërkim E. K., 40 vjeçe, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi".
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan shtetasin R. B., 23 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje". Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin F. B., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur disa produkte në një market në rrugën "Fabrika e qelqit". Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasit:
M. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi; F. K., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi sot, rreth orës 03:00, në hyrje të Vorës, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar me pasojë vdekjen një shtetas ende të paidentifikuar (endacak). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


