"Përgjues si USB e celës makine", 200 mije euro shpërblim, për cfarë u dënua Ervin Salianji, zbardhet vendimi

Aktualitet

"Përgjues si USB e celës makine", 200 mije euro

Tirane - Ervin Salianji u denua me nje vit burg per "kallezim te rreme" ne lidhje me denoncimet e bera publike prej tij lidhur me skandalin "Babale" e njohur ndryshe edhe si ceshtja e Agron Xhafajt, vellait te ish ministrit te brendshem Fatmir Xhafaj.

Gjykata e Apelit ne Tirane, la javen e kaluar ne fuqi, vendimin e gjykates se shkalles se Pare Tirane qe e kishte denuar deputetin demokrat me nje vit heqje lirie. 

Vendimi i Apelit ende nuk eshte zbardhur, por,  vendimi i Gjykates se Shkalles se pare, e cileson pergjimin e publikuar prej tij si te rreme dhe shpjegon kronologjine si ka ndodhur "denoncimi i rreme" ndaj Agron Xhafajt te cilin sipas gjykates, protagosnistet e ketij rasti nuk e kane takuar asnjehere.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ne vendim thuhet se Salianji dhe persona te tjere u kane premtuar shtetasve te angazhuar me kete rast rreth 200 mije euro shperblim nese "do ta kapnin" Agron Xhafajn.

Si pershkruhen ngjarjet ne vendimin e gjykates:    

Në datën 14.05.2018, rreth orës 11:30, në një konferencë për shtyp, të organizuar në selinë e Partisë Demokratike të Republikës së Shqipërisë, është publikuar një material audio, duke u pretenduar se në të paraqiteshin të dhëna mbi aktivitetin kriminal të shtetasit Geron (Agron) Xhafaj (vëllai i Ministrit të Brendshëm të kohës).

Publikimi është bërë nga i pandehurit Ervin Salianji dhe shtetasi Enkelejd Alibeaj në cilësinë e deputetit, si dhe shtetasi Gazment Bardhi në cilësinë e funksionarit të PD-së.
Në këtë material paraqitej regjistrimi ambiental i zërit dhe i transkriptuar, i një personi të cilësuar si “Bashkëpunëtori X”, i cili kryente një bisedë telefonike në një automjet në ecje, me një person tjetër supozuar si shtetasi Geron (Agron) Xhafaj. Mandej, së bashku edhe me komentet me shkrim, vazhdohet me një regjistrim “audio” të një bisede ambientale që paraqitet si e zhvilluar midis personit të cilësuar “Bashkëpunëtori X” dhe shtetasit Geron (Agron) Xhafaj, tek lokali i këtij të fundit në qytetin e Vlorës.

Në fund, materiali pasohet me një regjistrim “video” prej 6 sek, që tregonte pamje të një rruge, të regjistruara nga brendësia e një automjeti në lëvizje, shoqëruar me titrat “Bashkëpunëtori X ndoqi rrugën e treguar nga Geron (Agron) Xhafaj, bleu kanabisin tek trafikantët nën urdhërat e vëllait të Ministrit të Brendshëm, i qetë dhe pa ndjekjen e policisë”.

Mbi bazën e këtij publikimi, në datën 17.05.2018, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka regjistruar Proçedimin penal Nr. 95, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal dhe hetimet e mëtejshme në kuadër të këtij procedimi nuk evidentuan ndonjë të dhënë apo indicie inkriminuese për shtetasin Geron (Agron) Xhafaj.

Të pandehurit Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, në
bashkëpunim me njëri tjetrin dhe nisur nga motive personale te ndryshme, kanë krijuar një provë të rreme në formën e një “audio-regjistrimi”, me qëllim ngritjen e një dyshimi se nga shtetasi Geron (Agron) Xhafaj, ishte konsumuar një vepër penale në fushën e narkotikëve. Rreth muajit Tetor të vitit 2017, i pandehuri Albert Veliu ka marrë takim me të pandehurin Ervin Salianji, që në atë kohë ishte në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe sekretar për aksionin qytetar në Partinë Demokratike.

Në këtë takim, i pandehuri Albert Veliu i ka bërë të ditur të pandehurit Ervin Salianji se donte të çonte në burg shtetasin Geron (Agron) Xhafaj, pasi kishte një inat të mëparshëm me të, për shkak të një qëndrimi në burg në Itali. Ai është vetëofruar dhe ka garantuar, se kishte mundësinë që të grumbullonte të dhëna kompromentuese për aktivitetin kriminal në fushën e narkotikëve që shtetasi Geron (Agron) Xhafaj, ushtronte në rrethin e Vlorës.

"Përgjues si USB e celës makine", 200 mije euro

Në bisedë midis tyre, i pandehuri Ervin Salianji i ka premtuar të pandehurit Albert Veliu se do të përfitonte një shpërblim ne nje vlerë prej prej 200 mijë eurosh, në rast se do të sillte të dhënat që inkriminonin shtetasin Geron (Agron) Xhafaj. Në vijim, i pandehuri Ervin Salianji ka mundësuar kontaktin midis të pandehurit Albert Veliu dhe të pandehurit Jetmir Olldashi, i cili në atë kohë punonte si gazetar investigativ tek emisioni “Të paekspozuarit” pranë televizionit “News 24”.

Mbasi janë takuar me njëri tjetrin, të pandehurit Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi, kanë vendosur që të shkojnë në qytetin e Vlorës, me qëllim që të regjistronin shtetasin Geron (Agron) Xhafaj dhe të shkonin në vendet ku ky i fundit mendohej se ushtronte aktivitetin kriminal. Në mëngjesin e datës 24.10.2017, të pandehurit Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi, janë nisur për në qytetin e Vlorës me një automjet që i pandehuri Jetmir e kishte marrë me qira dhe së bashku me ta ka qenë edhe dëshmitari Arnedo Selmanaj, si kameraman i emisionit investigativ “Të paekspozuarit”. Mbasi kanë arritur në qytetin e
Vlorës, i pandehuri Albert Veliu ka shkuar tek lokali në pronësi të shtetasit Geron (Agron) Xhafaj, por nuk ka mundur që t’a takojë dhe komunikojë me të, mbasi nuk ndodhej aty.

Në vijim, ai dhe i pandehuri Jetmir Olldashi kanë ecur me makinë në drejtim
të fshatit Radhimë dhe Tragjas të rrethit Vlorë, për të marrë kontakt me personat që mund të dispononin lëndë narkotike dhe të kryenin filmimet e nevojshme. Më pas, ata janë rikthyer në qytetin e Vlorës dhe me gjithë përpjekjen e bëra, nuk kanë mundur që të kontaktojnë shtetasin Geron (Agron) Xhafaj, apo të bëjnë ndonjë regjistrim bisede me të.

Nisur nga fakti që deri në atë kohë nuk kishte arritur që të realizonte ndonjë regjistrim me shtetasin Geron (Agron) Xhafaj, në datën 23.11.2017, rreth orës 16:00, i pandehuri Albert Veliu në marrëveshje me të pandehurin Ervin Salianji, ka shkuar në zyrën e dëshmitarit Besim Hajdarmataj, me detyrë drejtues i Prokurorisë pranë Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Në këtë takim, i pandehuri Albert ka pretenduar se kishte informacione që në ditët e ardhshme do të trafikohej një sasi lënde narkotike për në Itali dhe se personat që do të bënin trafikimin ishin punonjës policie si dhe shtetasi Geron (Agron) Xhafaj,
vëllai i Ministrit të Brendshëm të asaj kohe.

Në datën 24.11.2017, rreth orës 10:00, dëshmitari Besim Hajdarmataj ka mundësuar takimin në zyrën e tij, të të pandehurit Albert Veliu me dëshmitarët Albert Tuci dhe Eduard Martini, me detyrë punonjës të SHISH. Mandej punonjësit e SHISH-it kanë vijuar me procedurat duke e pajisur të pandehurin Albert Veliu, me një pajisje përgjimi në formën e një pulti automjeti.

Rreth orës 15.00’-15.30’, të datës 24.11.2018, punonjësit e SHISH dhe i pandehuri Albert Veliu kanë arritur në qytetin e Vlorës, ku ky i fundit u ka shpjeguar se, me personat do të takohej tek lokali “2 Palmat”. Mbas rreth gjysëm ore, i pandehuri Albert Veliu ka telefonuar punonjësit e SHISH-it me qëllim për t’u dhënë pajisjen përgjuese dhe në momentin e takimit u ka thënë se kishte takuar një person me emrin Agron, por pa u thënë mbiemrin. Ai gjithashtu u ka thënë se nuk e kishte përfunduar bisedën për trafikimin e narkotikëve pasi kishte lënë një takim ditën e nesërme me një shtetas të
quajtur Ermal dhe për të kryer ndonjë regjistrim të mundshëm, punonjësit e SHISH-it i kanë lënë një tjetër mjet përgjimi të kamufluar si “usb”. Ndërkohë që, e kanë porositur se në momentin që do merrte kontakt me Ermalin, t’i njoftonte për vendin dhe orën e takimit.

Në datën 25.11.2017, rreth orës së drekës i pandehuri Albert Veliu ka telefonuar punonjësit e SHISH-it dhe u ka kërkuar të shkonin në Vlorë. Mbasi është takuar me ta në rrugë tek “Lungomare”, ai u ka shpjeguar se ishte takuar me Ermalin, por nuk kishte regjistruar bisedë me interes për çështjen, mbasi kishte patur edhe persona të tjerë në tavolinë. Ai u ka kërkuar dhjetë mijë lekë të reja për të ngrënë një drekë me Ermalin dhe aty të bënte edhe përgjimin e bisedës, por kjo kërkesë është refuzuar nga punonjësit e SHISH-it. Në vijim, i pandehuri Albert Veliu u ka kërkuar që të shkonin tek vendet ku
mbahej hashashi apo mjetet, kërkesë që i është plotësuar nga punonjësit e SHISH-it.

Komunikimi i të pandehurit Albert Veliu me punonjësit e SHISH ka vazhduar deri në datën 30.11.2017 dhe në përfundim të gjithë procedurës së kryer nuk rezultoi asnjë e dhënë inkriminuese (proceduriale apo informative) për shtetasin Geron (Agron) Xhafaj.

Në rrethanat kur nuk po mundte që të realizonte ndonjë regjistrim kompromentues me shtetasin Geron (Agron) Xhafaj, i pandehuri Albert Veliu ka komunikuar me të pandehurin Fredi Alizoti me të cilin kishte një njohje të vjetër dhe shumë miqësore. Në takimin midis tyre, i pandehuri Albert Veliu i ka kërkuar ndihmë të pandehurit Fredi Alizoti për të realizuar një regjistrim bisede midis tyre, ku ky i fundit do të luante rolin e shtetasit Geron (Agron) Xhafaj, mbasi do të shpërbleheshin në shumën prej 200 mijë eurosh nga i pandehuri Ervin Salianji.Pervec perfitimit material , i pandehuri Albert Veliu
dhe familja e tij do te perfitonin edhe përfitimin e azilit politik në ndonje shtet.
Fillimisht, i pandehuri Fredi Alizoti ka hezituar dhe nuk ka pranuar që të kryejë veprimin e kërkuar, por pas disa ditësh ai ka rënë dakort, i ndikuar nga këmbëngulja e të pandehurit Albert Veliu si dhe joshja nga përfitimi financiar në shumën prej 100 mijë eurosh (gjysma e shumës prej 200 mijë eurosh) që ai do të kishte.

Të dy të pandehurit kanë regjistruar bisedën e simuluar, në muajin Janar të vitit 2018, në qytetin e Vlorës, tek një lokal që ndodhet përballë lokalit të shtetasit Geron (Agron) Xhafaj. Bisedën ata e kanë
regjistruar tek një mjet regjistrues i tipit stilolaps dhe mbasi kanë ardhur në Tiranë, i pandehuri Albert Veliu j’a ka dorëzuar të pandehurit Ervin Salianji, i cili ishte dhe personi që i kishte dhënë këtë mjet.

Publikimi i “audio-regjistrimit” të manipuluar, është kryer në datën 14.05.2018, nga i pandehuri Ervin Salianji atë kohë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe sekretar për aksionin qytetar në Partinë Demokratike, në një dalje për mediat së bashku me dëshmitarët Enkeled Alibeaj dhe Gazmend Bardhi.

Në materialin e fabrikuar dhe të publikuar është paraqitur regjistrimi ambiental dhe i transikptuar i zërit të pandehurit Albert Veliu, gjatë kohës që ai ndodhej në një automjet duke simuluar sikur po kryente një bisede telefonike me shtetasin Geron (Agron) Xhafaj. Mandej, së bashku edhe me komentet me shkrim, është vazhduar me një regjistrim “audio” të një bisede ambientale të
realizuar nga i pandehuri Albert Veliu në rolin e “Bashkëpunëtori X” dhe i pandehuri Fredi Alizoti në rolin e shtetasit Geron (Agron) Xhafaj, duke imituar zërin e këtij të fundit.

Në fund, materiali i fabrikuar pason me një regjistrim “video” prej 6 sek, që
tregonte pamje të një rruge, të regjistruara nga brendësia e një automjeti në lëvizje, shoqëruar me titrat “Bashkëpunëtori X ndoqi rrugën e treguar nga Geron (Agron) Xhafaj, bleu kanabisin tek trafikantët nën urdhërat e vëllait të Ministrit të Brendshëm, i qetë dhe pa ndjekjen e policisë”. Publikimi i materialit solli më pas edhe regjistrimin e një procedimi penal dhe kryerjen e hetimeve nga Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, të cilat në përfundim të tyre rezultuan pa ndonjë implikim për shtetasin Geron (Agron) Xhafaj duke passjellë edhe pushimin e çështjes penale sipas vendimit nr 53 date
12.4.2019. te Gjykates se Shkalles se Pare per Krime të Renda Tirane
Në zbatim të planit të mëparshëm të tij, në datën 24.05.2018 i pandehuri Albert Veliu është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë duke kaluar në territorin e Republikës së Kosovës, jashtë vendeve të përcaktuara për kalimin e kufirit shtetëror.

Në datën 28.05.2018, ai është paraqitur në policinë e Republikës së Kosovës dhe në datën 29.05.2018, ka kërkuar azil pranë zyrës përkatëse. Në vijim, mbasi është pajisur me çertifikatën e statusit të azilkërkuesit me nr.1311, është lënë i lirë nga policia dhe aktualisht ndodhet i arrestuar nga autoritetet e Mbretërisë së Belgjikës, duke i’u nënshtruar proçedurave të ekstradimit.

Sa më sipër, u provua në gjykimin e çështjes me provat e specifikuara më poshtë të paraqitura nga organi i akuzës dhe të administruara nga Gjykata në seancë gjyqësore, pjesë e fashikullit të gjykimit, ku theksohen dhe analizohen ne fuqine e tyre provuese si vijon:
-Procesverbali për kryerjen e kqyrjes dt.14.05.2018, me anë të të cilit dokumentohet publikimi i materialit në daljen publike të dëshmitarëve Enkeled Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, si dhe të pandehurit Ervin Salianji;

-Raporti (ekspertimi) mbi krahasimet shkencore të folësve dt.6/09/2018, në të cilin është ekspertuar materiali i publikuar në datën 14.05.2018, duke e krahasuar me modelet e zërit të pandehurve Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, si dhe shtetasve Geron (Agron) Xhafaj dhe Agron Hyseni.

Ky Akt ekspertimi i shqyrtuar dhe administruar me cilësine e provës ka
konkluduar se:Regjistrimet nuk janë regjistrime origjinale. Regjistrimi video ishte marrë nga pamjet e mediave. Ajo përbëhej nga dy video, shkrim dhe dy biseda të regjistruara.

Këto dy biseda janë fokusi i analizës së ekspertes. Nuk ka qenë në gjendje të marrë regjistrimet origjinale të këtyre bisedave.

Biseda e parë: Biseda e parë ndodh në minutën 1 e 4 sekonda të kohës së videos dhe zgjat për 14 sekonda. Ajo duket të jetë një pjesë e një thirrjeje telefonike dhe folësit janë emërtuar ‘Bashkëpunëtori’ dhe ‘Agroni’; megjithatë, vetëm e folura që i atribuohet ‘Bashkëpunëtorit’ është e dëgjueshme (e kapshme) dhe për këtë arsye ekspertja ka ekzaminuar ‘Bashkëpunëtori’ por jo ‘Agroni’ nga kjo bisedë.

Biseda e dytë: Regjistrimi i dytë, i cili është një bisedë e bërë ballë për ballë, ndodh në minutën 1 e 25 sekonda të kohës së videos. Ajo zgjat 1 minutë dhe 46 sekonda. Përsëri, ajo është një bisedë midis burrit të quajtur “Bashkëpunëtori” dhe “Agroni”. Në këtë regjistrim e folura nga të dy palët është e dëgjueshme (e kapshme). Ndërsa shumica e bisedës është midis ‘Agroni’ dhe ‘Bashkëpunëtori’ ka shenja (të dhëna) që në sfond është
edhe zëri i një burri të tretë.

Regjistrimi nuk e përmban bisedën e plotë. Nuk ka hapje të bisedës apo përshëndetje, gjëra të cilat për dikë janë të pritshme, si fillim kur palët
takohen. Biseda vetë, është shumë e shkurtër dhe gjithashtu shfaqen ndryshime shumë të papritura, sa i takon temave të bisedës. Dy janë shpjegimet e mundshme: a) regjistrimi është një pjesë/pjesë të mbledhura nga një regjistrim më i gjatë, ose b) vetëm një pjesë e
bisedës është regjistruar.

• Gjendet mbështetje e fortë në qëndrimin se folësi në fjalë i emërtuar
“Bashkëpunëtori” në bisedën e parë është Albert Veliu;
• Gjendet mbështetje e fortë e moderuar në qëndrimin se folësi në fjalë i emërtuar
“Bashkëpunëtori” në bisedën e dytë në fjalë është Albert Veliu;
• Gjendet mbështetje e fortë në qëndrimin se folësi në fjalë i emërtuar “Agroni” në bisedën ë dytë në fjalë nuk është Agron Hyseni; Vërehen ndryshime të rëndësishme forensike midis zërit të ‘Agroni’ dhe atij të z. Hyseni.
Kampioni i bisedës në regjistrimin “Agroni” në bisedën e dytë, objekt ekspertimi, nuk është i përshtatshëm për të arritur në konkluzion (pozitiv ose negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj. Kampioni i ligjëratës (të folurit) në ‘Agroni’ nuk është i mjaftueshëm (adekuat) për të arritur në konkluzion (pozitiv apo negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj. Kampioni “Agroni” është i një cilësie shumë të dobët.

Arsyeja pse ekspertja ishte në gjendje të arrinte në një konkluzion negativ për z. Hyseni në lidhje me atë, lidhej me faktin se ai dhe “Agroni” kishin shumë dukshëm zëra të ndryshëm. Kjo nuk ishte kështu në lidhje si me z. Alizoti ashtu edhe z. Xhafaj. Ata janë zëra të ngjashëm si me njëri tjetrin ashtu edhe me “Agroni”, të paktën për sa ky i fundit mund të analizohet. Ekspertes do i duhej një regjistrim i një cilësie më të mirë të të folurës së “Agroni” për të arritur në një konkluzion (pozitiv ose negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj.
Sikurse vihet re, përfundimet e arritura në këtë ekspertim duke u parë në raport me deklarimet e të pandehurit Fredi Alizoti dhe provat e tjera të marra gjatë këtij gjykimi e të analizuara gjatë këtyre konkluzioneve, tregojnë bindshem se zëri i subjektit “Agroni” nuk është zëri i shtetasit Geron (Agron) Xhafaj.

ME TE LEXUARAT