Paguan 2000 euro që të merrnin grant nga Rindërtimi për banesën e prishur nga IKMT, SPAK vë në pranga 2 persona

Aktualitet

Paguan 2000 euro që të merrnin grant nga Rindërtimi për

TIRANË- Dy persona kanë tentuar që të përfitojnë nga fondet e Rindërtimit pas tërmetit në bashkinë e Tiranës, konkretisht në njësinë e Petrelës. Për këtë ato kanë korruptuar dy punonjës të Insitutit të Ndërtimit si dhe kreun e njësisë Administrative në Petrelë, duke u paguar shumë 2000 euro.

Arlind Murxhiu dhe Fatjon Haxhiu, të cilët ishin nën hetim që nga viti 2020, në mënyrë të vazhdueshme, kanë bërë përpjekje për të mundësuar kryerjen e veprimeve të paligjshme me natyrë korruptive duke ndërhyrë tek Dhimitri Papa, me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë dhe Kristaq Kali, me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë si dhe tek kreu i njësisë administrative në Petrelë, Sokol Kupi.

Qëllimi i ndërhyrjes ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt shumën prej 2000 (dymijë) euro. Kjo banesë në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së. Ata e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar nga granti i ri ndërtimit.

Në kryerjen e këtyre veprimeve ata janë ndihmuar nga funksionarë të Njësisë Administrative Petrelë, njësi e cila nuk ka vendosur skualifikimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit.

GJKKO ka caktuar masën arrest me burg për shtetasin Arlind Muxhiu dhe Fatjon Haxhiu, pasi kanë ushtruar ndikim të paligjshëm nga personave që ushtrojnë funksione publike. Po ashtu është caktuar masa ‘arrest me burg’, për Dhimitri Papa, me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”. Ndërkohë masa ‘arrest në shtëpi’ është caktuar për shtetasin Kristaq Kali, me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë. Po ashtu është caktuar masa ‘Detyrim paraqitje’ dhe ‘Pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik’, ndaj Sokol Kupi, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Petrelë.

Të gjitha masat e sigurimit u ekzekutuan sot nga strukturat e Policisë së Shtetit.

ME TE LEXUARAT