Operacionet antikanabis dhe monitorimi nga ajri, Hita pret Komandantin e Guardia di Finanza: Shtim i fluturimeve dhe…

Monitorimi ajror i territorit kundër kultivimit të bimëve narkotike ka qenë tema e takimit të drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me Komandantin e Operacioneve Ajrore Detare të Guardia di Finanza ditën e sotme.
Policia konfirmoi se delegacioni i lartë i Guardia di Finanza, i kryesuar nga Komandanti i Operacioneve Ajrore Detare, Gjeneral Divizioni Joselito Minuto, u prit nga Skënder Hita, dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.
“Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm Hita falënderoi përfaqësuesit e Guardia di Finanza për partneritetin e qëndrueshëm dhe theksoi se ky model bashkëpunimi ka tejkaluar prej kohësh kufijtë formalë të marrëdhënieve institucionale, duke u shndërruar në një shembull të konsoliduar besimi, mirëkuptimi dhe miqësie, që ka sjellë rezultate konkrete dhe shumë pozitive në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin zyrtar mbi këtë takim.
Nga ana e tij, mësohet se Gjeneral Divizioni Joselito Minuto rikonfirmoi “angazhimin e Guardia di Finanza për intensifikimin e monitorimit ajror, nëpërmjet shtimit të fluturimeve dhe verifikimit të çdo koordinatë të raportuar si zonë me risk për kultivimin e bimëve narkotike”.


