Çfarë t’i thoni një fëmije kur ka ankth? Këto fjali mund të bëjnë ndryshimin

Ankthi është një ndjenjë që shfaqet te pothuajse çdo fëmijë në faza të ndryshme të rritjes. Edhe pse prindërit përpiqen t’i mbrojnë nga situatat stresuese, specialistët këshillojnë se po aq e rëndësishme është t’i mësojnë fëmijët si ta njohin dhe ta përballojnë ankthin.
Komunikimi i duhur mund ta ndihmojë fëmijën të ndihet më i sigurt dhe të menaxhojë më lehtë emocionet. Disa fjali të thjeshta mund të kenë ndikim pozitiv në momentet kur fëmija përjeton frikë ose pasiguri.
Një prej tyre është: “A mund ta vizatosh atë?”. Vizatimi i ndihmon fëmijët të shprehin ndjenjat që nuk arrijnë t’i shpjegojnë me fjalë.
Po aq e rëndësishme është t’i kujtoni: “Të dua dhe je i sigurt.” Kjo krijon ndjenjën e mbrojtjes dhe e ndihmon të kuptojë se nuk është në rrezik.
Ekspertët rekomandojnë edhe ushtrimet e frymëmarrjes në formë loje. Në vend që t’i kërkoni fëmijës thjesht të marrë frymë thellë, mund ta ftoni të imagjinojë se po fryn një tullumbace të madhe. Kjo e bën procesin më të lehtë dhe më argëtues.
Për të rritur vetëbesimin, mund ta nxisni të përsërisë disa herë fjalinë: “Unë mund ta bëj.” Kjo teknikë përdoret shpesh edhe nga sportistët për t’u përgatitur për sfida.
Për fëmijët më të rritur, pyetjet si “Pse mendon se ndihesh kështu?” ose “Çfarë do të ndodhë pas kësaj?” i ndihmojnë të kuptojnë më mirë burimin e ankthit dhe të shohin situatën me më shumë qetësi.
Prindërit mund t’u kujtojnë gjithashtu se “Ne jemi një ekip”, sidomos kur ankthi lidhet me ndarjen nga familja, ndërsa një tjetër mënyrë është ta shndërrojnë ankthin në një figurë imagjinare duke pyetur: “Nëse ankthi yt do të ishte një përbindësh, si do të dukej?”
Një mesazh i rëndësishëm për çdo fëmijë është edhe: “Kjo ndjenjë do të kalojë.” T’i kujtoni se emocionet nuk zgjasin përgjithmonë mund ta ndihmojë të qetësohet dhe të ndihet më i sigurt përballë frikës.
Specialistët vlerësojnë se këto forma komunikimi nuk e eliminojnë ankthin, por i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësi që do t’u shërbejnë gjatë gjithë jetës.


