“Ne, kurban i politikës”/ Banorët e Maliqit kundër Reformës Territoriale: Jo bashkim me Korçën

Aktualitet

“Ne, kurban i politikës”/ Banorët e Maliqit kundër

Propozimi i Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale është kundërshtuar edhe nga banorët e Maliqit. Sipas draftit të propozuar nga PS, Bashkia Maliq, pritet të shkrihet dhe të përfshihet në një njësi më të madhe me Korçën.

Por banorët theksojnë se ky ndryshim do të sjellë vështirësi në marrjen e shërbimeve dhe rritje të kostove për qytetarët. Banorët thonë se distancat me Korçën do ta bëjnë më të vështirë aksesin në shërbimet publike, sidomos për zonat më të thella malore.

“Unë si banor i Maliqit mendoj se po bëhet politikisht. Në 30 vite politika nuk ka qenë në interes të qytetarëve. Maliqi nuk është trajtuar si duhet, është bërë kurban i politikës”, shprehet një banor.

Një tjetër qytetar thotë se bashkimi me Korçën do të krijojë probleme të drejtpërdrejta për komunitetin. Po ashtu banorët ngrenë shqetësime edhe për shërbimet administrative, duke pyetur pse duhet të udhëtojnë drejt Korçës për çështje që aktualisht i zgjidhin në bashkinë e tyre.

“Qytetarët do të kishin krizë direkt, distanca është shumë larg. Kjo politikë është zhgënjyese. Te shërbimet është problem. I kemi këtu shërbimet, të ikim në Korçë thoni ju?”, shprehet një banor tjetër.

Ndërsa një ish-banor i zonës, shprehet se shkrirja e bashkisë do të prekë fermerët dhe zhvillimin ekonomik.

“Do ndikojë te fermerët. Lidhja me Korçën do të bëhet më e largët. Është një bashki e madhe dhe e fortë, nuk plotëson asnjë kriter për shkrirjen”, deklaron ai.

ME TE LEXUARAT