Në gjendje kritike për jetën, foshnja 2-muajshe niset nga Korça drejt Tiranës

Aktualitet

Në gjendje kritike për jetën, foshnja 2-muajshe niset nga

Është nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar një foshnjë 2-muajshe nga Korça, e cila rrezikonte jetën pasi dyshohet se nuk është ushqyer me gji nga nëna.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Dhorjela Çule, gjendja e saj shëndetësore vijon të jetë kritike.

Në Pediatrinë e Spitalit Rajonal të Korçës, foshnja 2-muajshe mbërriti në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Burime konfidenciale nga policia dhe spitali bëjnë të ditur se ajo ndodhet në gjendje të rënduar, ndërsa dyshohet se kjo situatë ka ardhur si pasojë e kequshqyerjes.

Foshnja ka lindur dy muaj më parë, prematurë (7-muajshe). Ajo është trajtuar fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë, nga ku raportohet se ka dalë në gjendje të mirë shëndetësore. Megjithatë, pas kthimit në shtëpi ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore.

Sipas të njëjtave burime, dyshohet se nëna nuk është kujdesur për ta ushqyer foshnjën me gji dhe ky mund të jetë shkaku kryesor i përkeqësimit të gjendjes së saj.

Po ashtu, dyshohet se nëna mund të ketë probleme të shëndetit mendor, por detaje të reja priten të zbardhen në vijim për të përcaktuar nëse ajo ka shfaqur shenja të përkeqësimit të gjendjes psikologjike pas lindjes së fëmijës.

Sipas burimeve spitalore, gjendja e foshnjës vijon të mbetet e rëndë, ndërsa mjekët po shqyrtojnë mundësinë për ta transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Nga ekzaminimet rezulton se parametrat jetësorë janë në kufijtë minimalë.

Mjekët, jashtë kamerave, sqarojnë se në momentin e mbërritjes në Pediatrinë e Spitalit të Korçës, foshnja ishte në gjendje shumë të rënduar, me probleme të theksuara respiratore dhe me peshë vetëm 1 kilogram. Kjo peshë ka mbetur e njëjtë që nga momenti i lindjes e deri më sot, pas dy muajsh, çka tregon se foshnja nuk ka pasur asnjë zhvillim.

Kequshqyerja mbetet dyshimi kryesor i policisë, por nuk përjashtohen edhe rrethana të tjera që mund të lidhen me lindjen e parakohshme.

Ndërkohë, policia ndodhet në Pediatrinë e spitalit, ndërsa mjekët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar foshnjën 2-muajshe./Top Channel/

ME TE LEXUARAT