Ndezi zjarr në një zonë të mbrojtur në Shkopet pas konflikteve me banorët, procedohet 72-vjeçari

Një 72-vjeçar nga Shkopeti i Kurbinit është proceduar penalisht, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr qëllimisht në një zonë të mbrojtur, si pasojë e konflikteve të mëparshme me banorët e zonës.
Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, identifikoi dhe procedoi shtetasin Gj. Gj., 72 vjeç, banues në Shkopet, si autor të zjarrvënies në dalje të tunelit të Shkopetit, më datë 19 korrik 2025. Sipas hetimeve, flakët vijojnë të jenë aktive dhe janë përhapur në zonat përreth, duke rrezikuar banesa dhe pyje në territorin e Matit dhe Mirditës.
Gjithashtu, i moshuari dyshohet se është përgjegjës edhe për një tjetër zjarr të qëllimshëm më 25 korrik, në të njëjtën zonë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për “Shkatërrim prone me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje, duke theksuar se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për jetën, banesat dhe pasuritë natyrore të vendit.


