Çmimet 'në stratosferë' të hoteleve, “Konkurenca”: Do gjobiteni po s’reflektuat

Nisur nga lajmet në media për rritjen e çmimeve për akomodime në hotele në kuadër të ndeshjes finale të Ligës së Konferencës Roma-Feyenoord, që do të zhvillohet më 25 prill në Tiranë, ka reaguar Autoriteti i Konkurencës.
“Konkurrenca” i bën thirrje hoteleve që të të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos dhe të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta.
Ky institucion raporton se nëse bizneset nuk reflektojnë, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen me gjoba deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
“Nga monitorimi i platformave online që ofrojnë rezervime ambientesh fjetje si dhe nga monitorime në terren u identifikuan çmime tepër të larta për datat 23-25 maj 2022, krahasuar me periudha të tjera të vitit.
Autoriteti i Konkurrencës iu kërkon ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës:
– të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos;
– të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta.
Autoriteti i Konkurrencës iu bën me dije ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës që, nëse në përfundim të hetimit rezulton se rritja në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar e çmimit të shërbimit të fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme do të gjendet në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen me gjoba deri ne 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës”, thuhet në deklaratë.