Mediat italiane raportojnë për zjarret në Shqipëri: Mbi 1 mijë zjarrfikës në terren dhe banorë të evakuuar

Mediat italiane kanë raportuar gjerësisht për situatën alarmante të zjarreve që po përfshijnë Shqipërinë prej tre ditësh, kryesisht në jugperëndim të vendit. Flakët, të shtyra nga vala e të nxehtit dhe aktiviteti njerëzor, kanë djegur mijëra hektarë bimësi dhe po kërcënojnë zona të banuara e turistike.
Vetëm gjatë së dielës, më 27 korrik, janë evakuuar 40 persona në Borsh, mes tyre dhe turistë. Zjarret kanë mbërritur pranë shtëpive dhe hoteleve, duke vënë në alarm autoritetet dhe banorët lokalë.
Në terren janë angazhuar mbi 1,000 zjarrfikës dhe forca emergjence, të ndihmuar edhe nga mbështetje ndërkombëtare. Italia, Hungaria dhe Kroacia kanë vënë në dispozicion mjete ajrore, përfshirë edhe një avion Canadair nga Mbrojtja Civile Italiane.
Një prej rasteve më të rënda është në fshatin Kopaçez, ku zjarri ka shkatërruar të mbjella, bagëti dhe infrastrukturën bazë. Dy fshatra kanë mbetur pa ujë të pijshëm për shkak të dëmtimit të tubacioneve.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke falënderuar forcat e përfshira në operacionet e shpëtimit dhe shuarjes së flakëve. “Mendimet tona shkojnë për zjarrfikësit, forcat e emergjencës dhe mbrojtjes civile që po luftojnë me flakët,” – shkruan ai.
Ndërkohë, në Sasaj, flakët janë cilësuar si “të pakontrollueshme”, ndërsa zjarret aktive në Borsh, Piqeras dhe zona të tjera jugore vijojnë të përparojnë. Arrestime për zjarrvënie të qëllimshme kanë nisur, përfshirë një bari pranë Vlorës.
Ministria e Bujqësisë ka premtuar mbështetje për fermerët e prekur, që aktualisht përballen me humbje të mëdha dhe mungesë ushqimi për bagëtinë.
Situata mbetet kritike. Autoritetet kërkojnë bashkëpunim maksimal dhe përgjegjësi nga qytetarët, ndërsa puna për kontrollin e zjarreve vijon pa ndërprerje.


