“Mami dua të iki në shtëpi”/ 7-vjeçarja në rrezik për jetën, prindërit mes lotësh u kërkojnë ndihmë shqiptarëve

Aktualitet
“Mami dua të iki në shtëpi”/ 7-vjeçarja

Për Shqiptarët/ Në një fshat të vogël në Devoll të Korçës jetojnë jo më shumë se 10 familje, e një prej tyre është familja Gano e përbërë nga 7 anëtarë: prindërit Xhoana dhe Mariglen, 3 fëmijët e vegjël dhe 2 gjyshërit e tyre.

Xhoana dhe Marigleni janë njohur dhe dashururar në vitin 2016. Një vit më vonë vjen në jetë fëmija i tyre i parë, një vajzë që e quajtën Leandra dhe ishte bekimi më i madh i shtëpisë.


2 vite më vonë vjen në jetë djali Aleksi dhe përsëri pas 2 vitesh një vajzë, Aurora e cila sot është 4 vjeç.

Shtëpia e tyre, një shtëpi e vjetër fshati, qëndronte në cep të një rrugice të pjerrët nga e cila mund të shihje fusha të tëra të mbjella me misër e thekër. Muret e shtëpisë ishin të plasaritura, por brenda tyre familja nuk ndjente asnjëherë ftohtë. Ishte një jetë e thjesht por ndiheshin gjithmonë plot.

Marigleni punonte çdo ditë duke prerë dru të cilat më pas I shiste, e kur nuk kishte punë aty shkonte e bënte çfarëdo pune të gjente në fshat. Xhoana qëndronte në shtëpi e kujdesej për fëmijët. Çdo mëngjes ajo përcillte  bashkëshortin në punë, fëmijët në shkollë, e vetë niste të gatuante ato pak gjëra që I ndodheshin në shtëpi, sepse donte që kur të ktheheshin të gjenin ushqimin e ngrohtë mbi tryezë. Kënaqësia e saj më e madhe ishte t’i shihte ashtu të mbledhur rreth tryezës të gjithë njerëzit e saj të zemrës.

Ditët kalonin në qetësi me të njëjtën rutinë, që ndoshta atëherë nuk e kanë kuptuar se sa e çmuar ka qenë, e tani  do të bënin çdo gjë për t’i rikthyer.

Qetësia e shtëpisë ndryshoi kur Leandra po ankohej se ndihej e pafuqishme dhe donte vetëm të flinte. I kërkonte mamasë ta mbulonte sepse vetë ndjente se nuk mund të lëvizte as duart. Energjia që kishte dikur po I shteronte nga pak çdo ditë. Leandra ishte një fëmijë I mbarë, e qeshur dhe shumë e dashur. Ishte vetëm 8 vjeç, por zgjuarsia e përgjegjëshmëria e saj i tejkalonin vitet që mbante. Ajo ndihmonte mamanë me punët dhe ishte gjithmonë e vëmendshme për vëllain dhe motrën e vogël.

Shqetësimet u shtuan 10 ditë më parë, kur Leandra e vogël pati temperaturë shumë të lartë e cila nuk po I ulej.

Thonë se zemra e një nëne e parandien kur fëmija është në rrezik, e zemra e Xhoanës e ndjeu se vajza e saj kishte diçka.

Morën makinën nga një i afërmi i tyre dhe e sollën me urgjencë në spitalin e Tiranës. Bashkë me ta erdhi edhe gjyshja e Leandrës e cila nuk donte t’i linte vetëm.

Pas të gjitha kontrolleve, Leandra u diagnostikua me leucemi.

Ata kanë 10 ditë që qëndrojnë në spital. Vajza është në gjendje të keqe dhe doktorët I kanë thënë se duhet të shkojë sa më shpejt për kurim jashtë, por Xhoana dhe Marigleni nuk I kanë mundësitë. Me punën që Marigleni ka bërë deri tani, me zor ia kanë dalë të kenë ushqim në shtëpi, e kjo ishte një kërkesë përtej mundësive të tyre. Ndihen të pafuqishëm sepse nuk I kanë lekët për të shpëtuar jetën e Leandrës së tyre të vogël. Ndihen të pafuqishëm të rrinë afër vajzës e ta shohin në atë gjendje, të shtruar në spital e ata që nuk mund të bëjnë dot asgjë. Leandra ka 10 ditë që është e shtruar në spital e çdo ditë e pyet mamanë: ‘çfarë bëjmë këtu mami? Hajde ikim në shtëpi se më ka marrë malli për motrën.”

Kur infermieret futen në dhomë ajo e di se ato do vijnë për t’i bërë gjilpëra të tjera e për t’i shpuar krahët me vendosjen e vigonave, por krahët e saj të vegjël janë nxirë dhe nuk ka më forcë që të durojë. është e pafuqishme që të bërtasë por me zërin e mekur iu thotë: ‘Teta të lutem mos m’i vendos më se më dhembin…”.

Prej 10 ditësh, prindërit e Leandrës dhe gjyshja e tyre jetojnë në ambientet e spitalit.

Gjyshja e Leandrës ka 10 ditë që fle në makinë. Ajo refuzon të kthehet në shtëpi pa mbesën. Thotë se duhet të jetë këtu në rast se duhet t’i japë lamtumirën e fundit…

Ndërsa babai i Leandrës fle në lulishte, pranë dhomës së vajzës…

Kanë 10 ditë që qajnë, 10 ditë që më shumë kanë ndenjur pa ngrënë e 10 ditë që nuk kanë vënë sy në gjumë nga meraku. Kanë frikë se kur të zgjohen do marrin lajmin që asnjë nuk e thotë me zë, por në shpirt të gjithë e ndjejnë se rrezikon të ndodhë në çdo moment.

Fëmijët e vegjël i kanë lënë në kujdesin e gjyshit. Ai i çon në shkollë, i merr, iu gatuan, kujdeset për ta sepse nuk kanë asnjë njeri tjetër.

Xhoana mes lotësh na ka rrëfyer se familja e saj ka qenë gjithmonë bashkë, nuk janë ndarë kurrë nga njëri tjetri, por tani familja është përçarë.

Po iu helmohet zemra me çdo ditë që kalon…

Ata luten e shpresojnë për një mrekulli. E vetmja gjë që duan është të kthejnë Leandrën në shtëpi – aty ku vëllai dhe motra e presin, aty ku nuk njeh dhimbje por vetëm shërim, aty ku mund të jenë të gjithë bashkë sërisht.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion