Maji i përgjakur në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë! Në 21 ditë, 6 vrasje

Aktualitet

Maji i përgjakur në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë! Në 21

Delon Troqe ishte në shoqërinë e familjarëve, kur u qëllua me breshëri kallashnikovi, para biznesit të tij. Një atentat mafioz që tronditi Vlorën për herë të dytë brenda këtij muaji. Në 21 ditët e para të majit, në vend u regjistruan gjashtë vrasje, katër prej tyre atentate të mirëfillta nga veriu në jug. Ndodhën në qytetet që tashmë janë tradicionale për shkrehjen e kallashnikovit, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër. Në Vlorë, në harkun kohor të dhjetë ditëve u ekzekutuan dy persona, të dyshuar për përfshirje në punët e drogës, të dy në Spanjë.

Vritet Bledar Birçaj në Vlorë

Bledar Birçaj, 40 vjeç, po lëvizte me automjetin e tij në mes të ditës, kur në drejtim të tij u qëllua me breshëri plumbash. Birçaj mbeti i vdekur në vend. Në makinë me të ishin  edhe dy persona të tjerë, të cilët shpëtuan për mrekulli. Dy atentatorët qëlluan pa mëshirë në drejtim të 40-vjeçarit. U larguan në drejtim të paditur, dhe 12 ditë pas ngjarjes, askush nuk e di kush janë dhe ku janë fshehur, duke ngelur një ngjarje akoma e pazbardhur. Pista kryesore e hetimeve është përplasja e bandave për trafik droge në Spanjë.

Vritet Everest Çaka në Elbasan

Pa u shuar jehona e plumbave në Vlorë një tjetër atentat mafioz tronditi vendin. Kësaj here në Elbasan. Me breshëri plumbash u ekzekutua po në automjetin e tij në lëvizje, Everest Çaka, i cili ishte  në shoqërinë e së shoqes. Çaka ishte kthyer pak ditë më parë  nga Gjermania, ndërsa mendohet se ekzekutimi i tij lidhet me përfshirjen në trafikun e narkotikëve. Atentatorët, pas vrasjes dogjën automjetin në Golem të Durrësit, ku dhe humbën gjurmët.

Vritet Endri Mustafa në Shkodër

Atentati tjetër tronditi Shkodrën. Kryeqendra e veriut do të rikthehej sërish në vëmendje, pak më shumë se një muaj pas vrasjes së Bardhok Pllanajt. 32-vjeçari Endri Mustafa ishte shpallur që në datën 14 maj i zhdukur nga familja. Pas denoncimit, policia nisi kërkimin. Trupi i pajetë i Mustafës u gjet tre ditë më vonë në zonën e Livadheve, i vrarë me gjashtë plumba, njëri prej të cilëve në gojë. Policia ka shpallur në kërkim për ngjarjen Ibrahim Licin, i cili dyshohet të jetë ekzekutori dhe bashkëpunëtor një 15-vjeçar, i cili është arrestuar.

Vritet Delon Troqe në Vlorë

Pas plumbit në gojë të Bledar Birçajt, armët kërcasin sërish në Vlorë. 38-vjeçari Delon Troqe ishte para biznesit të tij më familjarë kur e qëllua. Troqe, i kthyer vetëm pak kohë më parë nga Spanja nuk u mbijetoi plagëve dhe ndërroi jetë në spital. Atentatorët u larguan dhe dogjën automjetin në fshatin Sherishtë. Brenda makinës së djegur u gjetën dy armë të tipit kallashnikovë, të cilat dyshohet të jenë përdorur në krim.

Atentatet e muajit maj të ndodhur në vend kanë një të përbashkët. Tre prej personave të ekzekutuar ishin kthyer prej pak kohësh në Shqipëri, dy prej tyre nga Spanja dhe i treti nga Gjermania. Për të tre, hetimet janë përqendruar në larje hesapesh për trafik të lëndëve narkotike, prishje të pazareve dhe larje hesapesh.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion