Zjarr i madh në Shkodër, flakët i afrohen banesave në Bardhaj dhe Myselim, ndërhyn helikopteri

Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë zonat e Bardhajt dhe Myselimit në Shkodër, ku përhapja e flakëve është favorizuar nga era e fortë dhe terreni i thyer.
Për shuarjen e zjarrit është ndërhyrë edhe nga ajri, me helikopter, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse dhe struktura të emergjencave civile.
Në operacion marrin pjesë gjashtë mjete zjarrfikëse të Bashkisë Shkodër, një bot uji i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Shërbimi Pyjor, strukturat e Emergjencave Civile dhe përfaqësues të njësive administrative Rrethina dhe Postribë.
Deri tani, ndërhyrja e forcave në terren ka bërë të mundur mbrojtjen e 15 banesave, duke shmangur rrezikun për familjet që ndodhen në zonën e përfshirë nga flakët.
Operacioni vijon edhe me mbështetjen e një mjeti zjarrfikës nga Reparti RKV 1010 në Vau i Dejës, ndërsa puna po zhvillohet në koordinim me Prefekturën e Qarkut Shkodër dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Forcat në terren vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave dhe shuarjen e plotë të zjarrit, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e banesave dhe e banorëve të zonës.


