Lojëra fati e lëndë narkotike për klientët, zbulohet lokali në Tiranë

Zbulohet një lokal në bulevardin “Zhan d’Ark”, i përshtatur për përdorim/shitje të lëndëve narkotike dhe për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Vihen në pranga 2 shtetas: pronari i lokalit dhe një shtetas që u kap në flagrancë, duke vënë baste sportive.
Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 3 celularë që përdoreshin për lojëra fati.
Në vijim të kontrolleve në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të vënies së tyre në dispozicion të veprimtarive kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Vendtakimi”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Z. T., 56 vjeç dhe G. E., 33 vjeç.
Gjatë kontrolleve në ambientet e lokalit të 56-vjeçarit, në bulevardin “Zhan d’Ark”, u gjetën sasi Cannabisi dhe 3 celularë me të cilët viheshin baste sportive. Ndërkaq, 33-vjeçari u kap në flagrancë, në ambientet e lokalit, duke vënë baste, me celular.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


