Padia e Berishës, Kushtetuesja zbardh kalendarin kur do ta shqyrtojë

Politikë

Padia e Berishës, Kushtetuesja zbardh kalendarin kur do ta shqyrtojë

Gjykata Kushtetuese ka publikuar kalendarin e seancave për disa prej çështjeve më të rëndësishme që do të shqyrtohen në muajt shtator dhe tetor.

Në fokus janë kërkesa që lidhen me zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe masën e sigurisë ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, raporton top channel.

Sipas njoftimit zyrtar, më 29 shtator 2026, në orën 10:00, do të zhvillohet seanca plenare mbi bazë dokumentesh për shqyrtimin e kërkesës që lidhet me verifikimin e zgjedhshmërisë dhe pajtueshmërisë kushtetuese të zgjedhjes së Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit. Në të njëjtën çështje do të shqyrtohet edhe kërkesa për shfuqizimin dhe pezullimin e vendimit të Kuvendit që miratoi zgjedhjen e tij.

Po atë ditë, në orën 11:00, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kërkesën e Ervin Salianjit, i cili kundërshton vendimet e Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke kërkuar shfuqizimin e tyre me argumentin se bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, më 8 tetor 2026, në orën 11:00, Kushtetuesja do të zhvillojë seancën plenare për shqyrtimin e kërkesës së Sali Berishës, i cili kërkon shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Kreu i Partisë Demokratike pretendon se këto vendime janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe kërkon heqjen e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”, e cila është në fuqi ndaj tij.

Të treja çështjet do të shqyrtohen në seanca plenare mbi bazë të dokumentacionit të administruar nga Gjykata Kushtetuese.

ME TE LEXUARAT