Kush Jane Legjendat Dhe Të Vërtetat Për Skënderbeun

Aktualitet

Kush Jane Legjendat Dhe Të Vërtetat Për Skënderbeun

Mund të ketë mendime të ndryshme për vetitë luftarake të shqiptarëve të kohëve të fundit; kam parasysh brezat e sotëm dhe ata që ishin menjëherë para tyre. Personalisht nuk dëshiroj të shpreh asnjë mendim për këtë çështje. Është e sigurt se ikja e vazhdueshme e krahut të punës gjatë pesë shekujve e ka mpakur në njëfarë mase kombin.

Të rinjtë më të mirë e më të fuqishëm i rekrutonte Turqia për t’i dërguar në luftëra të largëta dhe mbaj mend në fëmijërinë time se si një regjiment shqiptarësh, që u nis për të mposhtur një kryengritje në Arabi, u kthye vetëm me një grusht njerëzish. Mund të jetë një teprim të thuhet se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të atyre, që ishin aq të dobët, sa nuk dërgoheshin në luftë, por sidoqoftë do të pritej një ulje e vitalitetit si pasojë e rekrutimeve për pesëqind vjet.

Megjithatë, pak vite më parë, në kohën e Luftës Greko-Turke të vitit 1897, gjenerali prusian fon Grumbkov e ka shprehur botërisht adhurimin e tij kur pa një trupë shqiptarësh në Thesali, që po i ngjiteshin një kodre përballë një zjarri kositës dhe po kapnin një bateri të armikut.

Korrespondenti i gazetës së Londrës “Times” në këtë luftë, Kliv Bingam, ka shënuar se “shqiptarët në tërësi e përgënjeshtruan famën e tyre”, por edhe ai dëshmon për një betejë ku, siç shkruan ai, “disa herë rresht shqiptarët vërshuan teposhtë shpatit dhe u përpoqën ta kapërcenin shkëmbin, por zjarri që u derdhej nga sipër ishte vdekjeprurës, kurse bateritë prapa tyre patën pak efekt mbi faqet e shkëmbit e të gurit”.

Sidoqoftë, ka një mendim të njëzëshëm lidhur me vetitë luftarake të shqiptarëve për brezat më të largët. Do të ishte e tepërt ta rrëfeje këtë dhe ka material aq të pasur, sa mund të mbushësh një vëllim të trashë. Unë do ta kufizoj veten vetëm me nja dy shembuj nga më domethënësit.

Në një raport dërguar Senatit të Venedikut më 1576, Andrea Justiniani thotë se në një forcë prej treqind e pesëdhjetë ushtarësh, që përbënin garnizonin e Korfuzit, kishte një togë prej dhjetë shqiptarësh, të cilët “ishin më të mirë se gjithë italianët e tjerë”.

Neve na duhet ta pranojmë këtë vlerësim të hapur italian për vlerën luftarake të shqiptarëve, që i bie të jetë të paktën tridhjetë e katër herë më e lartë se e italianëve. Venedikasit kanë qenë çmues të ftohtë të njerëzve e të sendeve: ata nuk do ta kishin ndërtuar dot një perandori, nëse nuk do të kishin pasur një gjykim të saktë e të pagabuar për vlerat aktuale.

Në shekullin e shtatëmbëdhjetë ende nuk ishin shpikur makinat për të plotësuar mungesën e trimërisë njerëzore. Raimondo Montekukoli (Montecuccoli), një gjeneralisim i shkëlqyer i Perandorisë së Shenjtë Romake, që fitoi betejën e madhe të Shën Gotardit kundër turqve më 1664, pohon në kujtimet e veta të luftës.

“Se në çfarë rreziku ishim për ta humbur betejën, bëhej fare e dukshme vetëm nga rrëmuja dhe arratisja e një pjese të ushtrisë sonë dhe nga lufta e guximshme e jeniçerëve dhe e shqiptarëve, të cilët, edhe pse mbetën më të paktë në numër, asnjëherë nuk kërkuan mëshirë ose t’u falej jeta, ndërsa beteja për një kohë të gjatë ngjisnin me baticat dhe zbaticat e dallgëve të detit, që shtyheshin përpara e tërhiqeshin pas”.

Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë që kërkonin fatin e tyre duke u quajtur me emra të ndryshëm (kapeletë, stratiotë dhe estratiotë, kowali, morienë, xhenetarë), kanë luftuar në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perëndorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, kanë lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës.

Ata kanë qenë luftëtarë të ndershëm, që nuk përvidheshin kurrë nga beteja, siç ishte zakoni i shumicës së mercenarëve. Francezët zemëroheshin me seriozitetin e këtyre ushtarëve, të cilët luftonin për punëdhënësit e tyre me gjithë shpirt, sikur po luftonin për çështjen e tyre.

Kur u dorëzua qyteti i Novarës në vitin 1500, francezët bënë një përjashtim për shqiptarët dhe nuk u dhanë dëshmi mbrojtjeje, sepse, siç thotë Zhan d’Oton, “ata kishin ardhur nga një vend i largët me zemër të lehtë për të luftuar kundër francezëve si tepër shpesh”.

ME TE LEXUARAT