"Kur drejtësia rrëshqet, cënon parimet kushtetuese", Rama reagon sërish për Ballukun: Do të jem mbështetësi më i paepur i...

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Rama ka cilësuar këtë vendim si një “precedent të rrezikshëm” për sistemin e drejtësisë, duke e krahasuar me “rrëzimin e një fëmije që sapo ka mësuar të eci” dhe duke theksuar se një veprim i tillë cenon balancën mes pushteteve dhe parimet kushtetuese.
Në reagimin e tij, ai ka pohuar se qëllimi i luftës kundër korrupsionit nuk justifikon përdorimin e “mjeteve të gabuara”, duke paralajmëruar se kjo mund të sjellë një dëm më të madh sesa vetë problemi që synohet të kurohet.
“Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës - për më tepër edhe i shkallës së parë fare - pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie! Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri!
Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës - për më tepër edhe i shkallës së parë fare - pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie!
— Edi Rama (@ediramaal) December 2, 2025
Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën…
E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës.
Le të jemi të qartë: Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush.”, tha Rama.


