Kreu i SPAK Altin Dumani mesazh politikës: S'ndikohemi nga presionet

Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe drejtuesi i GJKKO Erion Bani kane perseritur edhe njehere sot, se institucionet qe drejtojne e kane pavaresine te garantuar dhe se nuk ndikohen nga asnje faktor politik.
Ata evidentuan se pavarësisht sfidave, llogaridhënia dhe pavarësia janë të garantuara.
“Arkitektura e shumëfishtë e kontrollit është e rëndësishme për të garantuar pavarësinë e institucioneve dhe atë të llogaridhënies. Kodet etike janë mure mbrojtëse ndaj çdo presioni dhe ndikim politik apo mediatik.", tha Altin Dumani, kryeprokuror i SPAK.
“Një sistem që korrigjon vetveten është një sistem që fiton besimin e publikut. Jemi të vetëdijshëm që besimi fitohet me punë. Përmirësimi i vazhdueshëm është një detyrim për t’iu përgjigju pritshmërive të larta që ka publiku”, tha drejtuesi i GJKKO, Erion Bani.
Perfaqesuesit e institucioneve te drejtesise folen ne nje takim të thirrur nga ambasada holandeze në Tiranë.
Inspektori i Drejtesise, Artur Metani tha se gjithkush mund ta thotë publikisht pakënaqësinë e tij për vendimet e gjyqësorit por jo kur kalon kufiri.
“U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë.
U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje”, tha kreu i ILD, Artur Metani.


