“Kredi deri në 2 mln euro për bizneset e vogla “, Rama prezanton programin e ri

Qeveria po përgatit një program të ri mbështetës për bizneset e vogla dhe të mesme, të quajtur “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, i cili pritet të lançohet së shpejti.
Nisma është prezantuar nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa brenda këtij muaji synohet finalizimi i marrëveshjes mes Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë për vënien në zbatim të saj.
Programi parashikon krijimin e një linje kredie të mbështetur nga shteti, me norma interesi më të ulëta krahasuar me tregun, duke synuar lehtësimin e aksesit në financim për bizneset.
Sipas planit, financimi do të arrijë deri në 2 milionë euro për çdo projekt, duke u dhënë mundësi sipërmarrjeve të vogla të rriten dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Kjo skemë nuk do të përfshijë kompanitë e mëdha, por do të fokusohet tek startup-et, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe aktivitete si punishte apo agroturizme që synojnë zhvillimin.
Qëllimi i programit është të mbështesë bizneset me ide dhe plane konkrete investimi, të cilat aktualisht hasin vështirësi në sigurimin e financimit për shkak të kushteve të tregut.