Kërcënoi të shpërthente bombën në Rinas, SPAK dërgon në gjykatë 44-vjeçarin rus

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin rus Vladislav Urban, 44 vjeç, i akuzuar për “kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Sipas organit të akuzës, në shkurt të vitit 2023 ai i ka dërguar një e-mail shefit operacional të aeroportit të Rinasit, ku paralajmëronte vendosjen e një bombe nëse qeveria shqiptare nuk do të njihte Kosovën si pjesë të Serbisë. Në mesazh pretendonte gjithashtu se mbante peng dy shqiptarë.
Hetimet zbuluan se mesazhi ishte nisur nga 44-vjeçari, i cili jetonte në Selanik. Pas bashkëpunimit me autoritetet greke dhe verifikimeve të kryera, rezultoi se kërcënimi ishte i rremë dhe se nuk kishte persona të marrë peng.
Sipas SPAK, Vladislav Urban rezulton me precedentë të mëparshëm për dërgim mesazhesh kërcënuese.


