Vidhnin të dhëna online/ SPAK jep pretencën, gjashtë vite burg për Shpend Sokolin, hetim i përbashkët me FBI

Aktualitet

Vidhnin të dhëna online/ SPAK jep pretencën, gjashtë vite

Prokuroria e Posaçme ka shpallur pretencën ndaj një të riu nga Kosova, i akuzuar për mashtrim kompjuterik në kuadër të hetimeve për tregun e paligjshëm online të njohur si RYDOX. Për Shpend Sokolin, SPAK kërkoi dënimin me 6 vite burgim.

Hetimi i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe FBI zbuloi se rrjeti RYDOX, aktiv që prej vitit 2016, ishte mbyllur përkohësisht në vitin 2020 dhe më pas ishte rihapur sërish. Sipas dosjes, platforma reklamonte RaidForums, forum kriminal online ku ofroheshin regjistra spam, mjete për dërgimin e tyre dhe udhëzime përdorimi.

SPAK dhe FBI konstatuan se RYDOX funksiononte si treg i nëndheshëm online. Në bazën e të dhënave të platformës rezultonin informacione për rreth 18 mijë përdorues, si edhe transaksione monetare virtuale.

Dy të dyshuarit e tjerë, Ardit dhe Jetmir Kutleshi, janë ekstraduar më herët drejt SHBA-së, ndërsa mirëmbajtësi i rrjetit është proceduar në Gjykatën e Posaçme me gjykim të shkurtuar.

Shpend Sokoli ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka pasur akses në platformën RYDOX dhe as në transaksionet e saj. Ai pretendon se puna e tij ka qenë vetëm në fushën e programimit, sipas kërkesave të marra.

Sipas SPAK, në këtë hetim të mbështetur nga zyra e FBI-së në Pittsburgh, rezulton se platforma ka ofruar mbi 321 mijë produkte të lidhura me krimin kibernetik.

ME TE LEXUARAT