Kapet me 500 mijë euro drogë në kamion, arrestohet shqiptari në kufirin bullgar

Aktualitet

Kapet me 500 mijë euro drogë në kamion, arrestohet shqiptari

Një shtetas shqiptar është arrestuar nga autoritetet bullgare pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme marihuane me vlerë rreth 500 mijë euro në pikën kufitare të Gueshevos, në hyrje të Bullgarisë nga Maqedonia e Veriut.

Sipas mediave të huaja, ngjarja u regjistrua më 6 qershor, kur një kamion me targa shqiptare u përzgjodh për një kontroll të detajuar doganor. Gjatë inspektimit, oficerët zbuluan gjashtë qese të mbushura me një substancë bimore të gjelbër, e cila ishte fshehur në një ndarje të ndërtuar posaçërisht brenda kabinës së automjetit.

Testet e kryera në vendngjarje konfirmuan se bëhej fjalë për marihuanë. Sasia totale e drogës së sekuestruar rezultoi 60.920 kilogramë, ndërsa vlera e saj në treg llogaritet në rreth 498.366 euro.

Pas zbulimit të ngarkesës së paligjshme, shoferi 28-vjeçar shqiptar tentoi të largohej nga zona e kontrollit, por u ndalua pak minuta më vonë nga efektivët e Policisë Kufitare bullgare.

Me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Qarkut Kyustendil, i dyshuari është vendosur në ndalim për 72 orë. Ndërkohë, prokuroria ka nisur procedurat për sigurimin e një mase më të rëndë sigurie, duke kërkuar vazhdimin e paraburgimit të tij deri në përfundimin e hetimeve.

Autoritetet bullgare theksuan se mënyra e sofistikuar e fshehjes së drogës brenda një strukture të modifikuar në kabinën e kamionit tregon për një operacion të organizuar trafikimi. Hetuesit po punojnë për të zbuluar origjinën e lëndës narkotike dhe destinacionin e saj përfundimtar.

 

 

ME TE LEXUARAT