Ishte “zhytur” në borxhe nga bixhozi, shqiptari shantazhoi për 3 muaj mikun italian që t’i gjente paratë

Një 26-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë në Itali, pasi akuzohet se ka kërcënuar një mikun e tij për t’i marrë një shumë parash. Sipas mediave italiane, shqiptari i ka marrë kursimet e po ashtu e detyroi që të merrte kredi italianin. Këto para, shqiptari do i përdorte për të larë një borxh bixhozi që kishte.
Shqiptari e shantazhoi dhe e kërcënoi se do e vriste për rreth 3 muaj miku ne tij italian, në mënyrë që t’i siguronte shumën prej 30 mijë eurosh për të shlyer borxhin. Viktima dhe autori i dyshuar ishin njohur në një bar, në pranverë. Disa biseda krijuan besim te 30-vjeçari, një person me probleme të caktuara të brishtësisë psikologjike. Fillimisht shqiptari e kishte ndihmuar, por më pas filloi t’i kërkonte mbështetje financiare. Ai kishte nevojë për para dhe 30-vjeçari u mashtrua. Kërkesat u bënë gjithnjë e më të shpeshta, derisa viktima i dorëzoi të gjitha kursimet e saj, rreth 14 mijë euro.
“Duhet të më ndihmosh, nëse je mik e bën këtë”, ishte një nga frazat që shqiptari dyshohet se përdorte për ta bindur. Më pas, kur 30-vjeçari filloi të hezitonte, toni ndryshoi: “Më jep paratë para se të zemërohem. Nëse nuk m’i jep, do ta pësosh”.
Të premten në mbrëmje, 26-vjeçari shkoi poshtë banesës së viktimës për të marrë paratë e kërkuara dhe filloi të godiste me shqelma derën e hyrjes, duke e dëmtuar atë. I tmerruar, 30-vjeçari telefonoi numrin e emergjencës 112 dhe babain e tij. Në vendngjarje mbërritën patrullat e policisë dhe skuadra mobile. Viktima u tregoi efektivëve se kërkesat për para, të shoqëruara me kërcënime, vazhdonin prej muajsh. Ai rrëfeu gjithashtu se ishte detyruar të merrte tre kredi të ndryshme: një prej 10 mijë eurosh dhe dy të tjera nga 2 mijë euro secila, vetëm për t’ia dorëzuar 26-vjeçarit.


