“Isha në jaht me Ivankën dhe Kushnerin kur zbuluan Sazanin”, Rama flet për protestat: Më kanë bërë të reflektoj! Nuk ka ende asnjë projekt

Aktualitet

“Isha në jaht me Ivankën dhe Kushnerin kur zbuluan

Në një kohë kur protesta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 60-të, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të flasë përballë një prej gazetareve më të njohura ndërkombëtare, Lindsey Hilsum e rrjetit britanik Channel 4.

Në një intervistë të fokusuar te zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, protestat e përditshme përpara Kryeministrisë dhe debatet rreth projekteve të investimeve në zonat bregdetare, Rama ka mbrojtur qëndrimin e qeverisë duke i cilësuar protestat si një shenjë të një shoqërie më të avancuar demokratikisht.

Kryeministri është pyetur nga Hilsum për mesazhin që i përcjellin protestuesit që dalin çdo mbrëmje përpara zyrës së tij, për projektet e shumëdiskutuara në Sazan dhe Zvërnec, për përfshirjen e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në këto iniciativa, si dhe për shqetësimet e ngritura nga Komisioni Evropian lidhur me standardet mjedisore.

Rama ka këmbëngulur se në asnjërën prej zonave nuk ka nisur një projekt i mirëfilltë ndërtimi, duke argumentuar se punimet e kryera deri tani lidhen vetëm me përgatitje paraprake dhe aksesin në terren. Ai ka deklaruar se projektet do t’i nënshtrohen vlerësimeve mjedisore dhe procedurave përkatëse përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare.

Në vijim, Rama ka folur edhe për takimin e parë me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, duke treguar rrethanat se si lindi interesi për investime në Shqipëri. Sipas tij, projekti përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi për vendin dhe duhet gjykuar përmes fakteve.

Ndërsa për shqetësimet e Bashkimit Evropian, kryeministri ka deklaruar se çdo projekt që zhvillohet në Shqipëri duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane, duke e lidhur këtë edhe me procesin e integrimit të vendit në BE.

Intervista e plotë

Lindsey Hilsum: Protestuesit kanë dalë çdo mbrëmje për gati 60 ditë. Si ndiheni që natë pas nate keni protestues përpara zyrës suaj?

Edi Rama: Është diçka e mrekullueshme për vendin, për shoqërinë, sepse pikërisht në këtë bulevard, jo shumë kohë më parë, rreth 15 vjet më parë, njerëzit u vranë me plumba të vërtetë ndërsa protestonin paqësisht. Kam reflektuar shumë për këtë protestë. Dhe kam arritur në përfundimin se për njerëzit nuk bëhet fjalë për faktet, dhe me të drejtë, por për pritshmëritë më të larta që i nxjerrin ata në rrugë. Dhe kjo është në rregull.

Lindsey Hilsum: Pra nuk është një gjë e keqe?

Edi Rama: Është fantastike. Prandaj thashë se është fantastike. Unë i kuptoj ata.

Lindsey Hilsum: A ju kanë bërë këto protesta të rishikoni ndonjë nga politikat tuaja?

Edi Rama: Cilat politika?

Lindsey Hilsum: Politikat lidhur me projektin në Sazan dhe Zvërnec, prej nga nisi e gjithë kjo histori, për shkak të rrezikimit të habitatit të flamingove dhe të habitateve të tjera atje.

Edi Rama: Jo. Nuk ka nisur asnjë projekt.

Lindsey Hilsum: Por unë e kam parë.

Edi Rama: Jo.

Lindsey Hilsum: Atëherë çfarë kam parë? A nuk duhet t’u besoj syve të mi?

Edi Rama: Do t’ju them çfarë keni parë. Por nuk ka nisur asnjë projekt. Dhe, për të filluar me Sazanin, të cilin e përfshitë në pyetjen tuaj, në Sazan nuk ka as projekt dhe as marrëveshje. Përfshirja e Sazanit në këtë diskutim është krejtësisht e panevojshme, sepse ende nuk kemi asgjë në Sazan.

Lindsey Hilsum: Por zoti Kushner dhe zonja Trump i kanë lidhur të dy projektet së bashku, apo jo? Ata thanë se të dy projektet janë të lidhura.

Edi Rama: Po, ideja është e lidhur…

Lindsey Hilsum: Atëherë ma shpjegoni, sepse unë shkova në Zvërnec dhe pashë vendin ku kishte filluar projekti…

Edi Rama: Nuk ka filluar asnjë projekt në Zvërnec.

Lindsey Hilsum: Atëherë çfarë pashë? Gardhet dhe të gjitha ato?

Edi Rama: Po ju shpjegoj. Nuk është fillimi i projektit. Janë vetëm përgatitjet për të kryer punët paraprake përpara se të jepet leja, e cila do të bazohet në vlerësimin e ndikimit në mjedis, studimet gjeologjike, hidrologjike e të tjera.

Lindsey Hilsum: Por zakonisht vlerësimi mjedisor bëhet përpara se të futen buldozerët, sepse buldozerët mund të dëmtojnë mjedisin. Normalisht dërgohen disa shkencëtarë që ta studiojnë zonën.

Edi Rama: Buldozerët janë përdorur për të hapur rrugën për komunitetin, në mënyrë që njerëzit të mund të kalojnë përmes pronës private dhe të mos pengohen të lëvizin. Nuk…

Lindsey Hilsum: Por njerëzit kalonin edhe më parë në atë rrugë me rërë. Nuk ishin të bllokuar më parë. U bllokuan më pas, sepse u vendos gardhi.

Edi Rama: E kuptoj. Tani, nëse doni faktet, unë po jua them faktet.

Lindsey Hilsum: Zoti Kushner ka thënë se ju ishit në jaht me ta kur zbuluan ishullin në vitin 2020.

Edi Rama: U ftova të bashkohesha me disa persona në një jaht që ndaloi në Shqipëri për t’u furnizuar me karburant, rrugës për në Mal të Zi.

Lindsey Hilsum: Ishte jahti i Nat Rothschild.

Edi Rama: Po. U ftova dhe shkova. Atje takova Jaredin dhe Ivankën. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por mund të them me siguri se nuk kishin ndonjë interes konkret për Shqipërinë. Ata ishin shumë të interesuar për historinë dhe vendin ku ndodheshin. Kjo është pika e parë. Pika e dytë: disa muaj më vonë, në Davos, takova Jaredin dhe ai më shprehu interesin për të eksploruar mundësinë e investimit. Natyrisht që unë i thashë “po”. Si mund t’i thosha “jo”? I thashë “po”. Për mua kjo është gjëja më normale. Ky do të jetë një nga zhvillimet më të jashtëzakonshme që do t’i ndodhin Evropës pas shumë kohësh. Kohët e fundit nuk kanë ndodhur shumë gjëra të jashtëzakonshme në Evropë.

Lindsey Hilsum: Pse është kaq e jashtëzakonshme?

Edi Rama: Sepse nuk do të jetë ajo që njerëzit e imagjinojnë gabimisht. Dhe as ajo që ju e imagjinoni gabimisht.

Lindsey Hilsum: Unë nuk po imagjinoj. Kam parë atë që Jared Kushner publikoi në Instagram dhe disa nga planet e projektit. E kuptoj që ato nuk janë planet përfundimtare.

Edi Rama: Ajo që u publikua në Instagram ishte vetëm një prezantim paraprak. Projekti ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të njohur për punën e tyre në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë, ne po bëjmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Pra, projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur. Synon ta rigjenerojë.

Lindsey Hilsum: Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm për ju. Komisioni është i shqetësuar për ligjet mjedisore dhe për ndryshimet e vitit 2024 që krijojnë një lloj përjashtimi për investimet strategjike. A mendoni se mund ta rishikoni këtë?

Edi Rama: Dëgjoni. Është shumë mirë që Komisioni është i shqetësuar. Nuk mund të jetë ndryshe. Dhe, meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Prandaj vetë ideja se ne mund të ecim përpara me një projekt, apo me çfarëdo projekti, që nuk përputhet me standardet evropiane është absurde. Unë po them vetëm këtë: për këtë projekt, qetësohuni, flisni me fakte, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u emociononi tepër duke thënë se gjithçka është katastrofike.

Lindsey Hilsum: Duket sikur ju kanë prekur personalisht këto akuza.

Edi Rama: Jo, jo, nuk jam lënduar.

Lindsey Hilsum: Megjithatë duket sikur e merrni shumë personalisht.

Edi Rama: Dëgjoni. Çdo gjë është personale. Kushdo që e bën punën e tij me pasion e përjeton personalisht. Por nuk jam i lënduar. Madje kjo më ka ndihmuar. Siç ju thashë edhe më parë, për mua protestat e qershorit, jo kjo e tanishmja, kanë qenë njëkohësisht një konfirmim se vendi ka arritur në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë.

ME TE LEXUARAT