IHMK paralajmëron stuhi të forta dhe rrezik për përmbytje lokale në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, i vlefshëm për sot.

Sipas IHMK-së, gjatë kësaj periudhe priten zhvillime të fuqishme konvektive që do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.
Instituti vlerëson se kushtet atmosferike mund të shkaktojnë rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë, përmbytje të shpejta lokale, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe telekomunikacion, si dhe dëme në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore. Gjithashtu, ekziston mundësia e rritjes së rrezikut për zjarre si pasojë e shkarkimeve atmosferike.
IHMK u bën thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë të vetmuara apo pranë objekteve metalike, të mbrojnë pronën nga breshëri dhe erërat e forta, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.
Ndërkohë, Instituti ka publikuar edhe të dhënat e shpejtësisë së erës të regjistruara nga Rrjeti Shtetëror Meteorologjik në stacionet e Suharekës dhe Istogut për datat 20 dhe 21 korrik 2026, të cilat pasqyrojnë intensifikimin e qarkullimit atmosferik në prag të ndryshimit të motit.
IHMK njofton se do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të publikojë përditësime të reja gjatë zhvillimit të fenomenit.


