Krimi me një viktimë dhe një të plagosur në një familje në Roskovec, banori i zonës: Jemi të shokuar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, në Roskovec.
Një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij të cilën e mori peng, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Për këtë ngjarje banorët e fshatit Vidhisht janë shprehur të tronditur, duke sqaruar se familja e viktimës ishin njerëz të rregullt.
“Jemi të shokuar. Njerëz për së mbari, në punë të tyre, shumë të rregullt si fis. Ata nuk kanë qenë të martuar, ishin fejuar disa vite më parë. Ngjarja ndodhi sot në mëngjes. Të gjithë janë banorë të këtij fshati, edhe autori edhe viktima”, u shpreh një banor i fshatit.


