SHBA vendos tarifa deri në 12.5% për 60 partnerë tregtarë/ Mes tyre Bashkimi Europian dhe Kina

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja ndaj 60 partnerëve të tyre tregtarë, duke i akuzuar se nuk kanë zbatuar në mënyrë efektive ndalimet për importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar.
Administrata e presidentit Donald Trump njoftoi paketën e re të tarifave, duke vazhduar politikën e saj tregtare pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, e cila në fillim të këtij viti bllokoi një pjesë të masave të ngjashme. Trump ka argumentuar vazhdimisht se SHBA paguan tarifa më të larta sesa partnerët e saj dhe se rritja e tyre është e domosdoshme për të mbështetur prodhimin vendas dhe vendet e punës.
Tarifat e reja, që variojnë nga 10% deri në 12.5%, prekin partnerë të rëndësishëm ekonomikë, mes tyre Bashkimin Europian, Kinën, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Japoninë dhe Indinë. Ato hynë në fuqi më 24 korrik, pas skadimit të një tarife të përkohshme prej 10% mbi mallrat e importuara.
Ky është përshkallëzimi më i fundit i luftës tregtare të rifilluar nga administrata Trump pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Në shkurt, Gjykata Supreme vendosi se një pjesë e tarifave të vendosura në bazë të kompetencave emergjente ishin të paligjshme.
Pas këtij vendimi, administrata amerikane kërkoi baza të tjera ligjore për të vijuar politikën tarifore. Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë propozoi tarifa nga 10% deri në 12.5%, duke argumentuar se shumë vende nuk po marrin masa të mjaftueshme kundër punës së detyruar.
Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, deklaroi se masat synojnë të luftojnë njëkohësisht shkeljet e të drejtave të njeriut dhe praktikat e padrejta tregtare.
“Veprimi i sotëm do të fillojë të korrigjojë atë që është njëkohësisht shkelje e të drejtave të njeriut dhe një praktikë e shtrembëruar tregtare, me qëllim përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve kudo”, tha Greer.
Masat janë vendosur në bazë të Seksionit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili lejon SHBA-në të reagojë ndaj praktikave tregtare që dëmtojnë interesat amerikane.
Sipas administratës amerikane, vendet që kanë zbatuar në mënyrë efektive ndalimet ndaj mallrave të prodhuara me punë të detyruar do t’i nënshtrohen një tarife prej 10%, ndërsa ato që nuk kanë vepruar mjaftueshëm do të përballen me një tarifë prej 12.5%.
Tarifat prekin 60 partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, të cilët përfaqësojnë rreth 99.4% të importeve amerikane.
Ekspertët e tregtisë ndërkombëtare vlerësojnë se administrata Trump mbetet e vendosur të zbatojë strategjinë e saj tarifore.
Sipas ekspertëve, shumë vende mund të përpiqen të ulin varësinë nga tregu amerikan duke forcuar marrëdhëniet tregtare me partnerë të tjerë.
Brazili e cilësoi vendimin e SHBA-së si “të pajustifikuar” dhe “arbitrar”, duke akuzuar Uashingtonin se po përdor çështjen e të drejtave të punëtorëve për të justifikuar politika proteksioniste.
Qeveria braziliane paralajmëroi se do të përgjigjet me masa reciproke, në përputhje me legjislacionin e saj.
Edhe Japonia shprehu keqardhje për tarifat e reja, duke theksuar se tregtia e saj zhvillohet në përputhje me rregullat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, i quajti tarifat “krejtësisht të pajustifikuara” dhe tha se Australia do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për heqjen e tyre.
Donald Trump ka mbrojtur prej kohësh përdorimin e tarifave si mjet për të mbrojtur industrinë amerikane dhe për të nxitur ekonominë vendase.
Në prill 2025, ai vendosi tarifa deri në 50% ndaj një sërë partnerësh tregtarë në atë që e quajti “Dita e Çlirimit”, me argumentin se SHBA ishte trajtuar padrejtësisht në tregtinë ndërkombëtare.
Edhe pse një pjesë e këtyre tarifave u rrëzuan nga Gjykata Supreme, administrata amerikane ka vijuar të kërkojë baza të tjera ligjore për vendosjen e masave të reja.
Ndërkohë, SHBA vazhdon përballjen tregtare me Kinën dhe ka përdorur tarifat edhe si instrument presioni ndaj vendeve të tjera, përfshirë Meksikën, ndërsa aktualisht po heton praktikat tregtare të 16 shteteve të tjera për akuza që lidhen me mbikapacitetin industrial.


