Dhunimi i gazetares në krye të detyrës, reagon Kadastra: Distancohemi, i arrestuari nuk është pjesë e agjencisë tonë

Aktualitet

Dhunimi i gazetares në krye të detyrës, reagon Kadastra:

Agjencia Shtetërore e Kadastrës është distancuar nga dhunimi në krye të detyrës i gazetares Domenika Bajraktari, në Drejtorinë e Kadastrës të rajonit Kamëz-Vorë. Në një reagim për mediat, Kadastra thotë se 67-vjeçari F.M., tashmë i arrestuar nga policia, i cili goditi me telefon në shpinë gazetaren, nuk është pjesë e institucionit të tyre.

Ndërsa sa i përket rojeve privatë, Q.L. 64 vjeç dhe H.B. 52 vjeç, të cilët janë nën hetim në gjendje të lirë pasi dëmtuan kamerën e operatorit, Kadastra informon se përmes pamjeve filmike po analizohen veprimet e tyre. Nëse konstatohet shkelje, thotë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, do të merren menjëherë masa.

Reagimi i plotë i Agjencisë së Kadastrës:

Në lidhje me lajmet e publikuara gjatë ditës së sotme për ngjarjen e ndodhur pranë Drejtorisë Vendore Kamez-Vorë, sqarojmë se: Agjencia Shtetërore e Kadastrës dënon dhe distancohet nga çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Në lidhje me rastin e raportuar, sqarojmë se personi që ka kryer veprimin ndaj gazetares nuk është punonjës i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ndërkohë jemi duke rishikuar të gjitha pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë dhe, nëse konstatohet shkelje nga rojet private, do të ndërmerren menjëherë hapat ligjorë dhe kontraktualë për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpreh besimin e plotë tek institucionet ligjzbatuese dhe është e bindur se ato do të kryejnë hetimet dhe do të vendosin drejtësi sipas ligjit. Ne besojmë se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron publikun dhe median se do të vazhdojë të garantojë akses, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në çdo proces informimi.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion