Humbën rrugën në Karaburun, shpëtohen dy turistë kanadezë!

Dy turistë kanadezë që kishin humbur orientimin gjatë një ecjeje në zonën malore të Karaburunit janë shpëtuar falë ndërhyrjes së policisë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, kur salla operative e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Vlorë u njoftua se dy shtetas të huaj, të ndarë nga grupi i tyre gjatë eksplorimit në Karaburun, nuk dinin të ktheheshin dhe kishin humbur orientimin.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi organizuan kërkimin dhe u nisën me mjet lundrues drejt Gjirit të Gramës. Pasi mbërritën në zonë, efektivët nisën kërkimet në këmbë, në një terren të vështirë malor dhe në kushte të errësirës së plotë.
Rreth orës 24:00, dy turistët u lokalizuan dhe u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore. Pas ndihmës së parë, ata u shoqëruan në Gjirin e Gramës dhe iu bashkuan grupit të tyre. Turistët kanë falënderuar efektivët për ndërhyrjen e menjëhershme dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare e Vlorës thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve vendas e të huaj, në çdo cep të territorit, sidomos në zonat turistike dhe të vështira për akses


