Hetimi për vrasjen e pronarit grek dhe shqiptarit merr kthesë të papritur, pistë e re për autorët e vërtetë

Aktualitet

Hetimi për vrasjen e pronarit grek dhe shqiptarit merr kthesë të

Hetimi për vrasjen e dyfishtë në Finikounda, ku u ekzekutua pronari grek dhe miku i tij shqiptar,  ka hyrë në fazën më intensive, ndërsa të dhëna të reja po ndryshojnë drejtimin e hetimeve.

Sipas burimeve hetimore, prokurorja e çështjes ka tashmë në dispozicion analizat e komunikimeve nga shtatë telefona celularë, që lidhen në kohë me natën e ngjarjes, si edhe me ditët para dhe pas vrasjes, midis Mesinisë dhe Athinës.


Sipas raportimit të Kostas Gazoulis në emisionin Newsroom të ERT News, zbulimet e reja nga heqja e sekretit telefonik pritet të hedhin dritë mbi kontradiktat që janë vërejtur në dëshmitë e dy 22-vjeçarëve që ndodhen në paraburgim.

Autoritetet po përqendrojnë tani vëmendjen te mundësia e ekzistencës së një nxitësi, që mund të ketë udhëhequr ngjarjen.


Avokatja Katerina Fragaki, e cila ka qenë për vite me radhë përfaqësuese ligjore e biznesmenit 68-vjeçar dhe tashmë përfaqëson mbesën e tij, theksoi se prioriteti i familjes është zbulimi i plotë i të gjithë personave të përfshirë.

“Klientja ime nuk beson se autorët janë vetëm dy 22-vjeçarët.

Motivi, sipas vlerësimit tonë, është thjesht financiar, për shkak të pasurisë së madhe të viktimës,” deklaroi ajo.
Znj. Fragaki la të kuptohet për përfshirjen e mundshme të personave nga rrethi familjar, duke theksuar:
“Ka indikacione se nxitësi mund të vijë nga vetë familja.”

Ndërkohë, disa pyetje kyçe mbeten ende pa përgjigje: kush shtypi këmbëzën dhe ku ndodhet arma e krimit, e cila nuk është gjetur ende.
“Shpresoj që arma të gjendet, sepse mund të çojë në prova thelbësore. Jam e bindur se në fund asgjë nuk do të mbetet pa zbuluar,” tha avokatja.

Hetimet po vijojnë gjithashtu për skuterin që autorët përdorën për t’u arratisur, i cili po ashtu nuk është gjetur. Autoritetet janë në posedim të një videoje që tregon njërin nga të dyshuarit në stacionin e autobusëve të Kifissos, disa orë pas ngjarjes.

Sipas burimeve të fundit, policia tashmë ka një pasqyrë më të qartë të motiveve dhe personave të përfshirë, por hetimi mbetet i hapur.


Pjesë pas pjese, mozaiku i kësaj ngjarjeje tragjike po plotësohet, ndërsa hetuesit përpiqen të zbulojnë kush qëndron realisht pas vrasjes së dyfishtë që tronditi Mesininë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion