“E pashë të digjej për së gjalli”: Rrëfimi tronditës i të vetmit të mbijetuar nga përplasja ajrore në Indi

Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, është i vetmi i mbijetuar nga përplasja tragjike e avionit të “Air India”, fluturimi AI171, që mori jetën e 241 personave nga 242 që ndodheshin në bord. Ngjarja ndodhi në qytetin Ahmedabad të Indisë, ku avioni u përplas në kampusin e një kolegji mjekësor, duke shkaktuar një nga aksidentet më të rënda ajrore në historinë moderne të vendit.
Vishwash mbijetoi me plagë të lehta në fytyrë dhe gjoks, por pasojat psikologjike janë të rënda. Vëllai i tij, Ajay, 35 vjeç, ishte një nga viktimat. “Nuk e di si shpëtova. I pashë të gjithë duke vdekur para syve të mi,” tha ai për mediat indiane. Ai e quan veten “njeriun më fatkeq që jeton”, dhe shton: “Jam mirë fizikisht, por më vret fakti që nuk arrita ta shpëtoja vëllain tim.”
Të dy vëllezërit kishin tentuar të uleshin pranë në avion, por për shkak të mungesës së vendeve, ishin ndarë. Vishwash beson se nëse do të ishin bashkë, mund të kishin shpëtuar të dy. Pas përplasjes, ai tentoi të rikthehej në avion për të shpëtuar vëllain, duke iu lutur ekipeve të shpëtimit: “Ai është atje dhe po digjet për së gjalli. Duhet ta nxjerr.”

Sipas familjarëve, Vishwash përjeton çdo natë të njëjtin makth – sikur është ende në avion dhe sheh të gjithë duke vdekur. Nuk flet shumë, mban gjithçka brenda vetes dhe i shmanget çdo bisede për aksidentin. Në ceremoninë mortore në Gujarat, ai mbajti vetë arkivolin e vëllait të tij.
Hetimet paraprake po fokusohen te gabimet njerëzore në kabinën e pilotëve. Kapiteni Sumeet Sabharwal dyshohet se ka ndërprerë furnizimin me karburant në një moment paniku, ndërsa oficeri i parë Clive Kunder përpiqej të rikuperonte kontrollin. Regjistrimet e kutisë së zezë tregojnë për tensione dhe mungesë koordinimi në minutat e fundit të fluturimit.
Për Vishwash, mbijetesa nuk është shpëtim, por një dënim i përditshëm me faj, humbje dhe dhimbje që nuk kalon. Ai është “njeriu që jetoi”, por e paguan me një barrë emocionale të padurueshme.


